11 shkurt 2011

Pastore thërret Juventusin: Më pëlqen!

Fantazisti argjentinas i Palermos nuk e përjashton një të ardhme bardhezi: Te Barça do të qëndroja në stol

Havier Pastore është “bërthama” e Palermos së Delio Rosit dhe një ndër lojtarët kyç të kombëtares së Argjentinës, teksa ka ardhur koha që ky talent të mendojë për të ardhmen. Fantazisti i skuadrës siçiliane, nuk ka përjashtuar një të ardhme tek Juventusi:

“Të gjithë e dinë që me klubin aktual kam një kontratë deri në 2015-ën dhe i vetmi që mund t’i japë fund kësaj është vetëm presidenti Mauricio Zamparini, por është e qartë që nëse kushtet do të jenë të mundshme jam gati të largohem, - pranoi Pastore. - Do më pëlqente të luaja në një ekip ku mund të kem hapësirën time.

Tek Reali ose Barça mund të fitoj shumë para, por nuk mund të jem kurrë titullar. Juventus? Pse jo, do të më pëlqente. Pastaj edhe familja ime është me origjinë nga Volvera, një fshat i Torinos kështu që origjina ime është piemonteze”.

Përtej kësaj sulmuesi i talentuar argjentinas nuk ngurroi të jepte dhe një mendim për ndeshjen e madhe të së dielës mes Juventusit dhe Interit, duke thënë: “Kam shumë miq tek Interi duke filluar nga kapiteni Zaneti, nga i cili kam marrë këshilla apo edhe Kambiaso.

Githsesi nuk do të më vinte keq nëse do të fitonte Juvja, një ekip që ka bërë goxha afrime gjatë kësaj periudhe dhe që duket se po ringjallet. Është një skuadër si Palermo, dinë të triumfojnë në një ndeshje të madhe, por naivë për të humbur dy takime rresht”.