11 shkurt 2011

Melo karikon Juven: E mundim Interin

Juventusi pret Interin në derbin e Italisë dhe Felipe Melo i ka idetë e qarta: “Kjo ndeshje mund të ndikojë në moralin e skuadrave po aq sa në klasifikim”. Dy ditë nga përballja e shumëpritur, mesfushori brazilian deklaroi se fitorja është e domosdoshme “për klasifikimin dhe për një rivalitet që ka ardhur duke u rritur në vitet e fundit”. “Kjo kundër Interit është një ndeshje shumë e veçantë”, shpjegoi ish-futbollisti i Fiorentinës. “Është derbi i Italisë dhe mund të ndikojë në moralin e skuadrave po aq sa në klasifikim. Humbja mund të të lërë përtokë, kurse fitorja të të ngrejë lart. Ne po stërvitemi mirë dhe fort, pasi duam ta fitojmë këtë përballje me çdo kusht”. Juventusi vjen në sfidën e së dielës nga fitorja e bukur 3-1 në fushën e Kaljarit dhe synon të ruajë vazhdimësinë, për të lënë pas periudhën e vështirë në javët e fundit. “Suksesi në Kaljari na rifuti në garë për një vend në Champions dhe tani duhet të luftojmë në çdo ndeshje. Është e vështirë të thuhet deri ku mund të arrijmë, por ne do synojmë të shkojmë sa më lart”, nënvizoi mesfushori bardhezi.