12 shkurt 2011

Matri: "Interi? Një ndeshje e rëndësishme, por jo decizive"

Torino (Itali)- Blerja më e fundit e Juventusit, Alesandro Matri, ka folur për mediat italiane. Pas dy golave të shënuar në ndeshjen e fundjavës së shkuar kundër Kaljarit, qendër sulmuesi i rritur tek Milani është i karikuar në prag të ndeshjes së madhe të së dielës në Olimpiko, kundër Interit. Por duhet të tregojmë kujdes, për Matrin ndeshja me Interin nuk do të jetë një ndeshje 'jetë a vdekje': "Unë e konsideroj një ndeshje të rëndësishme, me një peshë shumë specifike, duke parë skuadrat që do të përballen, pranon sulmuesi, duke folur për 'Tuttosport', por jo një ndeshje decizive. Mungojnë akoma edhe dy ndeshje nga fundi i kampionatit dhe mund të ndodhin akoma dhe shumë gjëra.

Është natyrale, në çdo mënyrë, që nëse do të arrijmë të fitojmë…". Matri vazhdon më tej komentin e tij: "Pritshmëritë e mëdha janë gjithmonë pozitive, përgjegjësitë nuk më trembin, kam kuptuar që tifozët presin shumë nga unë dhe unë do të kërkoj t'i shlyej besimin me gola. Shikoni, mund të duket një frazë e thënë shumë herë, por është edhe e vërteta. Tifozët dhe shoqëria, që më ka kërkuar, duhet të kompensohen për gjithçka që kanë bërë për mua. Në ditët e shkuara kam pranuar se jetoj me një ëndërr, një ëndërr reale për fat".

Deri në këtë moment, mesatarja e Matrit është për një gol në ndeshje: "Një mesatare e lartë, në fakt. Dhe gjithsesi më duhet të pranoj se janë vetëm numra, nuk mund të zhbalancohem pas kaq pak kohësh. Në mes janë edhe shumë raste të pastra që nuk kam arritur ti finalizoj siç duhet, e pranoj, sepse nuk duhet të fsheh asgjë".

Në fund, gazetari i ka kërkuar të japë një votë për këtë javë, ku Matri ka debutuar me dy gola tek Juventusi dhe menjëherë është grumbulluar për herë të parë në kombëtaren italiane, dhe ai përgjigjet në këtë mënyrë: "Do ta jap të dielën në mbrëmje. Për momentin, mund të garantoj vetëm që grumbullimi në kombëtare ka ndikuar që të më mbërrijnë mijëra telefonata dhe shumë mesazhe. Rezultati? Telefoni nuk pushon. Më besoni, është një kënaqësi kur mëson se në qarkullim ka njerëz që të vlerësojnë".