17 shkurt 2011

Juvja zgjedh Pirlon për të zëvendësuar Akuilanin

Klubi bardhezi synon t’i ofrojë ish-romanistit 1 milionë euro më pak nga sa merrte te Liverpuli

Alberto Akuilani, midis lojtarëve të rinj të kaluar te Juventusi gjatë verës, ka qenë sigurisht një nga më të mirët. Mesfushori roman, i marrë borxh, duket se do të blihet nga Juventusi, siç parashikon marrëveshja, duke derdhur 16 milionë euro - ndoshta edhe brenda tre viteve të ardhshme - në arkat e Liverpulit.

Një kontratë pesëvjeëare me 2,5 milionë euro në vit është zgjidhja që Marota do të donte t’i ofronte lojtarit, domethënë një milion më pak në krahasim me rrogën që Akuilani merrte në Angli. Në rast se negociatat do të vështirësohen, bardhezinjtë do të ishin gati të hidheshin në sulm për Andrea Pirlon.

Mesfushori, afër skadencës së kontratës me Milanin, mund të kalojë te bardhezinjtë edhe pse për të interesohen shumë klube anglezë dhe spanjollë dhe, thuhet, se edhe Roma mund të futet në garë për fantazistin nëse, siç duket, Karlo Ançeloti do të marrë drejtimin e klubit verdhekuq.

Pikërisht nga klubi i kryeqytetit italian, bardhezinjtë mund të marrin, gjithmonë me parametra zero, Mauro Kasetin për krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa për krahun e majtë vazhdojnë kontaktet me brazilianin e Lionit, Bastos.

Objektivi kryesor, gjithsesi, mbetet Havier Pastore. Fantazisti i Palermos ka shënuar 10 gola deri tani në kampionat dhe çmimi i tij rritet nga muaji në muaj dhe rruga që duhet ndjekur për të siguruar kartonin e tij bëhet gjithnjë dhe më e vështirë edhe sepse Barcelona, Reali i Madridit dhe Mançester Junajtid janë të fuqishëm në aspektin ekonomik.

Lojtarit duket se i pëlqen idea për t’u transferuar te Juventus, por operacioni duket shumë i vështirë. Për këtë arsye klubi bardhezi ka vendosur të marrë Piacon: është 17 vjeç dhe çmimi i tij është më i përballueshëm.