06 shkurt 2011

Juventusi i kthehet fitores

Zonja e Vjetër ka shënuar fitore prej 3-1 si mysafir i Cagliarit, duke iu kthyer në këtë mënyrë fitores pas dy humbjeve radhazi.

Alessandro Matri heshti tifozët e skuadrës që mban kartonin e tij në minutën e 21-të pas asistimit të Jorge Martinez, dhe me epërsi minimale të mysafirëve përfundoi pjesa e parë.

Në minutat e para të pjesës së dytë (51’), Robert Acquafresca ndëshkoi Gigi Buffonin pas krosimit të Andrea Cossu, për të barazuar shifrat.

Ishte sërish Alessandro Matri lojtari që riktheu epërsinë e Bianconerëve me një gol të bukur, pasi Giorgio Chiellini ia ktheu topin.

Fitoren e mysafirëve e vulosi Luca Toni pas harkimit të Alessandro Del Pieros në minutën e 84.

Pas kësaj fitoreje, Juventusi ngritet në vendin e shtatë me 38 pikë, një më pak se Roma dhe një më shumë se Palermo, por këto dy skuadra ndeshjet e javës së 24 i zhvillojnë të dielën. /