10 shkurt 2011

Juventus: Stadiumi është gati, mungon vetëm emri

Pas rreth 4 muajsh, impianti me 41 mijë vende duhet të mbarojë dhe duhet të përurohet për sezonin që vjen

Në sezonin e ardhshëm, Juventusi do të akomodohet në shtëpinë e tij të re. Punimet për stadiumin e ri po ecin në mënyrë intensive falë punës së 300 punonjësve dhe pritet të respektohet data e mbarimit të punimeve që është fiksuar gjatë muajit maj 2011.

Inagurimi i këtij impianti pritet të bëhet midis muajve korrik dhe gusht, ndërkohë që beteja për emrin e stadiumit është shtyrë. Faktikisht emri i stadiumit të ri që do të ketë një kapacitet prej 41 mijë vendesh dhe po ndërtohet në rrënojat e “Dele Alpit”, ishte caktuar të vendosej qershorin e shkuar.

Tani për tani dihet vetëm që stadiumi do të ketë një emër të huaj. Mësohet se “Sportfive”, një nga pretendentët kryesorë për të drejtën e emrave po kryen një betejë në merkato, duke zhbiruar nëpër Europë për të gjetur një sponsor, që është i aftë të shpenzojë plot 40 milionë euro për 5 vjet në mënyrë që logoja e tyre të skalitet në 2 kulla 3-ngjyrëshe hyrëse të stadiumit 90 metra të thella (ndërkohë që “Dele Alpi” i kishte vetëm 30 metra).

HARXHIME E FITIME Mbulimi financiar prej 120 milionë euro është garantuar nga një kontratë financiare e nënshkruar me “Kreditin Sportiv”, (që ka investuar 60 milionë euro), akordi me “SportFive” (75 milion), si dhe nga marrëveshjet me “Nordiconad” që variojnë nga 20 milionë në 25 milionë euro. Sipas bordit të shoqërisë mbuluese të punimeve financat e shpenzuara për stadiumin aktualisht duhet të dyfishohen nga 20 në 40 milionë.

KULLA DHE BETONI Dikur në stadiumin e vjetër kur zhvillohej koncerti i grupit “U2″ ekzistonte një kullë me shumë pozicione, ndërkohë që në stadiumin e ri kulla do të jetë analoge, e lartë dhe e përqëndruar në qëndër të kantierit sportiv. Ndërsa struktura është ende provizore.

Kështu e përshkruan impiantin inxhinieri Rikardo Abrate që është edhe drejtor i “Real Estate Juventus”, që ka luajtur një rol në ndërtimin e 2 bazamenteve qendrore. “Përkohësisht bazamentet që do të mbajnë lart këtë stadium ndodhen jashtë tij në një pozicion horizontal dhe pritet që nga momenti në moment t’u bashkohen kullave kryesore, të cilat do të ngrihen së bashku në aspektin ballor të stadiumit.

Ato janë të dekoruara me një motiv tringjyrësh ku përfshihen dhe ngjyra e uniformës së portierit si edhe e fanellave, me të cilat ekipi luan jashtë. Kullat do të jenë një element shumë i rëndësishëm, teksa në to do të shënohet dhe “Made in Italy”.

Gjithashtu priten modifikime nga shoqëria imobiliare e klubit bardhezi. Me vendosjen e kullave pritet të bëhet dhe mbulimi tërësor i impiantit dhe më pas do të punohet për një ndërtim të anëve brendësore të tyre”, - e mbyll përshkrimin e tij inxhinier Abrate.

IMPAKTI VIZIV - Vrima e madhe, e cila ishte në kantierin rreth stadiumit tashmë është vetëm një kujtim i lënë pas. Në arenën e stadiumit mund të shihen punimet më të reja të stadiumit të klubit më të madh në Itali dhe tashmë mund të flitet për një impiant gjigand.

Unazat e dyta dhe të treta të mureve anësore janë drejt kompletimit. Edhe mbulesat që do të rrethojnë stadiumin. Pritet që unazat të kompletohen pikërisht këto ditë dhe më pas të rimbushen ambientet e jashtme dhe të brendëshme.

SI DO TË JETË - Teknologjik, elegant, i depërtueshëm, i sigurt dhe perfekt për futbollin. Janë këto fjalët që mund të thuhen për këtë shtëpi të re të klubit juventin. Pamja e impiantit të vjetër nuk do të fashitet nga kujtesa, teksa stadiumi i ri do të ruajë konturet dhe format, por ndryshimi do të jetë, sepse pista e atletikës, e cila për hir të së vërtetës nuk u shfrytëzua për 16 vjet, do të hiqet.

“Dele Alpi” i ri do të ofrojë një vizualitet të paprecedent: tifozët do të jenë shumë pranë fushës teksa largësia nga tribuna tek fusha e blertë do të jetë vetëm 7.5 metra në vijë ajrore, ndërkohë që në stadiumin e vjetër kjo largësi ka qënë 28 metra si pasojë e pranisë së pistës së vrapimit.

Gjithashtu një e re tjetër është se në rast emergjence është programuar që stadiumi të zbrazet brënda një harku kohor prej vetëm 4 minutash falë ekzistencës së 16 daljeve pa pengesa që do të hapen vetëm në raste të tilla. Kjo teknologji arkitektonike ka zëvendësuar mënyrën e vjetër të daljes përmes shkallëve.

Kompleksi do të jetë aktiv në të 7 ditët e javës falë edhe një hapësire moderne prej 34 metrash, e cila do të jetë e mbushur me galeri dyqanesh, qendra tregtare si edhe një magazinë bizhuterish. Janë projektuar gjithashtu 30 mijë metra, të cilat do të shërbejnë për sheshe ku tifozët mund të shohin ndeshjen në ekran gjigand apo parkingje për 40 mijë automjete.

SHKALLËT E TRIBUNAT - Sektorët më prestigjozë të tempullit më të ri që po ngrihet për bardhezinjtë kanë dalë në shitje që prej gati 1 viti. Sa i përket vendeve të gazetarëve, të tifozëve specialë si edhe 62 salloneve të vogla për konferenca, që do të mbajnë rreth 10 persona, çmimi varion nga 50 në 130 mijë euro për sezon.

Bufon dhe Del Piero e kanë prenotuar nga një tashmë. Çka është më e bukura është se këto sektorë do të jenë në përdorim edhe gjatë javës teksa nuk luhen ndeshje. Gjithashtu priten të ndërtohen edhe 2 suita me 34 vende secila për sheikët, njerëzit e pasur dhe tifozët “Vip” (çmimi për këto vënde është ende sekret).

Sa i përket abonimeve nga tifozët e Juventusit kanë dalë edhe çmimet teksa tek tribuna e quajtur “Xhiovani Anjeli” më eskluzivja do të ketë 250 vënde, të cilat kanë një kosto prej 10 mijë dollarë në vit. Në këto vende përfshihet edhe një monitor i integruar në poltronë.

Në tribunën e quajtur “Omar Sivori” do të ketë 1600 vende dhe kostoja do të jetë 2500 euro në vit. Në tribunën “Xhiampiero Boniperti” do të jenë 650 vende me një kosto prej 4 mijë eurosh dhe kjo e fundit mendohet të jetë për tifozët e nderuar.

Në anësoret e saj do të shërbejnë truproja, ndërkohë që konturet do jenë të blinduara. Tribuna e fundit pritet të mbajë vetëm 500 persona dhe do të ketë një vlerë prej 6500 eurosh në vit. Kjo do të quhet “Tribuna 100″ dhe do të jetë sektori që i dedikohet 100 lojtarëve më protagonistë në historinë e Juventusit.

Çdo zonë do të ketë një parking të rezervuar, një restorant apostafat dhe gjithçka tjetër, që do vihet në shërbim të tifozëve. Deri më sot janë shitur 1000 abonime premium për sezonin e ri të Serisë A 2011-2012 dhe kjo përbën 35% të rezervimeve në dispozicion.

“NDIZ NJË YLL” - Inisiativa më e fundit që është lëshuar nga klubi quhet, “Ndiz një yll” dhe kjo nismë do të vendosë legjendat e klubit bardhezi në qendër të tempullit. Hapësira që pretendohet të bëhët suport i unazës së dytë të tribunës, është projektuar në një mënyrë të tillë që ta mbledhë publikun në hapësira me 50 sektorë të ndryshëm.

Dhe çdo një prej këtyre 50 sektorëve do t’u dedikohet 50 kampionëve absolutë të historisë së Juventusit. Në çdo sektor do të vendosen pllaka të mëdha metalike në formë yjesh ku do të shënohen emrat e tifozëve. “Ylli Gold” do të ketë një kosto prej 250 eurosh ndërsa “Platiniumi” 350 euro.