07 shkurt 2011

Cana hyn në historinë e Gallatës, shënon në stadiumin e ri

Futbollisti shqiptar Lorik Cana hyn në historinë e klubit turk të Gallatasarajit me golin e shënuar dje kundër Eskishehirit, duke u regjistruar si futbollisti i parë i huaj që shënon me këtë fanellë në stadiumin e ri “Turk Telekom Arena”.

Lojtari i përfaqësueses shqiptare devijoi me kokë një top të goditur fort nga mesfushori Sabri, duke kaluar vendasit e Gallatasarajit në avantazh që në minutën e 11-të. Me këtë gol Cana regjistrohet në historinë e klubit më të lavdishëm turk si futbollisti i parë i huaj që shënon në stadiumin e ri “Turk Telekom Arena”.

Goli i djeshëm i Canës i hapi rrugën e fitores 4-2 të Gallatasarijit të drejtuar nga i lavdishmi George Haxhi.