02 janar 2010

20 vjet arave

Dy dekadat e fundit e ndajnë futbollin në dy periudha. Të parën e viteve 1990/99 që po e ndaj si periudhë e futbollit nën okupim – e që mundet të konsiderohet si periudhë e suksesshme. Së pari arriti ta ruajë futbollin dhe në kushte shumë të vështira u arrit të prodhohen shumë lojtarë që luajtën deri në Champions League – si Ismet Munishi, Mehmet Dragusha, Arsim Plepolli, portieri Arian Beqaj, në situata pa kurrfarë kushtesh..

Ndërsa e dyta, e ndarë si periudhë e pasluftës të viteve 2000/10, nuk e karakterizon ndonjë sukses i veçantë nga koha e okupimit. Përveç që gjatë kësaj periudhe u ruajt mentaliteti i arave, që ndikoi negativisht në zhvillimin e futbollit dhe varfërimin e tij.

Çka të bëhet në vitin 2010 është çështja, që njëherë e përgjithmonë të përfundojë mentaliteti i arave dhe të fillojë një epokë e re e më e suksesshme. E pse jo edhe fitimprurëse e futbollit në Kosovë. Por, për të planifikuar nevojitet buxhet dhe para. Koncentrimi fillestar i futbollit kosovar do të duhej të bëhej në krijimin e një sistemi fitimprurës – si për klubet ashtu edhe për FFK - dhe jo vetëm për trofetë që vlejnë humbje financiare dhe pa kurrfarë plasmani ndërkombëtar. Futbolli është lojë. Por, një lojë e shtrenjtë.
Andaj, këtë herë përparësi po i jap financave në futboll.

Liga Profitabile dhe Kuotizimet

Për cilësi sportive, përpos ekspertizës profesionale, nevojiten para. Por, si të sigurohen paratë kur klubet donë të luajnë dhe nuk paguajnë për garë?
Heqja e kuotizimeve nga FFK u bë nga kryetari Fadil Vokrri në vitin 2008 – sigurisht se pa tendenca negative. Ky premtim erdhi si pjesë e fushatës së tij zgjedhore, që u premtonte klubeve, kryesisht të varfëra, se nuk do të jenë të obliguara të paguajnë as referë e as kuotizime për të pjesmarrë në gara.
Kjo logjikë i ndihmon klubet pa buxhet dhe financa të mbijetojnë – por jo edhe të zhvillohen. Këto politika mund të jenë të preferuara për ligen e dytë, por jo për të parën e kurrsesi për Superligën.
Klubet duhet të kuptojnë se duhet të paguajnë për cilësi dhe se u nevojiten financat. Nëse nuk mund t'i gjejë financat, atëherë ambiciet e tyre për Superligë më mirë t'i harrojnë sepse gara superiore nuk bëhet pa para dhe se kjo ndikon në cilësi dhe financat e të gjitha klubeve.

Federata duhet të vërë mekanizma që ta pasurojë Superligën duke i vjelur kuotizimet. Me paratë e mbledhura nga këto kuotizime të krijojë shpërblime për klubet dhe lojtarët cilësorë, e që fare lehtë do të mund të shpërbleheshin klubet prej 10.000 deri në 50.000 euro. Dhe kështu të fillojnë themelet e një lige fitimprurëse, ku tri vendet e para të Superligës do të shpërbleheshin për sukseset e tyre sportive. Besoj se liga profitabile mund të krijohet fare lehtë me iniciativë të FFK'së dhe vetë klubeve.

Finacat dhe Federata

FFK deri tash nuk ka treguar aftësi të inkasojë të ardhura aq sa e ka potencialin real. Këtu nuk po mendoj për marketingun, sepse ato i kanë realizuar me sukses deri tani, por nga format e tjera të vjeljes së parave që FFK'së do të mund t'i krijonin të ardhura që së paku të paguajë administratën e vet.

Një nga shembujt që e kisha veçuar është kontrolli shëndetësor, për të cilin futbollistët veç se paguajnë tash e sa vite. Një organizim i këtyre kontrolleve përbrenda ombrellës së FFK – me profesionalistë të angazhuar nga vetë FFK – do t'i inkasonte të ardhura nga rreth 2000 futbollistë, aq sa defilojnë profesionalisht në ligat e Kosovës. Ekzistojnë edhe forma të tjera të përfitimit – si kjo që federatës do t'ia heqnin barrën për buxhetin e rrogave dhe do t'i jepte mundësi të angazhojë staf më cilësor, të ri dhe energjik.

Trajnerët dhe Futbollistët

Këto kategori po i veçoj sepse janë më të paorganizuarat si komunitete përbrenda futbollit kosovar. Asnjëra nga këto kategori nuk e ka shoqatën e vet dhe nuk janë të organizuar për t'i mbrojtur interesat e tyre profesionale. Çka është më e keqja, ata funksionojnë në të zezë, me para në dorë dhe pa letra. Kjo mund t' u duket e lezetshme atyre në fillim, kur i marrin paret bosat e klubeve të tyre – por sigurisht se do t'u duket e idhët atëherë kur klubet u mbesin borxh dhe për ata nuk ekziston ndonjë sistem mbrojtës përveç Kanunit. Mos t'i përmend lëndimet e mundshme apo sigurimet e tyre shëndetësore, prej çka varen shumë sidomos futbollistët.
Kur këto komunitete do të kishin organizim dhe sistem më profesional të funksionimit – do të ndikonin në pjesëmarrje më masive dhe të përkushtuar profesionale – e jo siç është tani që shumë talente të ikin nga futbolli nga frika se do të vdesin urie.

Futbolli dhe Politika

E di se sportistët dëshirojnë të tingëllojnë apolitikë. Por, fatkeqësisht, dikush nga ata duhet të merret edhe me këtë punë. Ligji për Sponsorim ka mbetur në sirtarët e Parlamentit tash e dy vite. Askush nuk e përmend, askush nuk e shtyn të aprovohet e më së paku për këtë flasin vetë sportistët.
Viti 2010 mund të jetë fillimi kur sportistët ia bëjnë me dije politikës se sa grup i madh dhe i gjerë që janë dhe se sa shumë për ta do të thoshte aprovimi i Ligjit për Sponsorim. Sigurisht se çdo politikan do të vraponte pas aprovimit të këtij ligji, për të siguruar simpatinë e sportistëve.
Por, kjo nuk ndodh pa udhëheqje më aktive të sportistëve. Një protestë simpatike dhe moderne e futbollistëve para Parlamentit ndoshta edhe do t'i ndryshonte gjërat. Kush e di!? Edhe ashtu askush nuk do t'ua zinte për të madhe sepse ky është i vetmi komunitet profesional që kurrë nuk ka protestuar pas luftës.

Ikja nga arat

Arat tashmë nuk janë infrastruktura e futbollit. Por, është mentaliteti i futbollit.
Për 20 vjet pak ndryshoi. Sepse njerëzit që merren me futboll dhe klube nuk ndryshuan. Andaj e vetmja mundësi mbetet që FFK t'i ngre kriteret. Dhe kjo do të ndikonte që jo bash gjithkush të merret me futboll.
Ata që nuk kanë mundësi t'i plotësojnë këto kritere, le t'u kthehen arave. Sepse futbolli është lojë , por një lojë e shtrenjtë që nuk mund ta luajë gjithkush.