‘Sëmundja’ e rrjetit social në internet Facebook nuk e ka lënë pa e prekur edhe një numër shumë të madh të sportistëve kosovarë.
Njëri ndër sportistët kosovar, i cili një kohë mjaft të madhe e kalon para kompjuterit, përkatësisht i kyçur në ueb faqen e njohur Facebook.com, pa dyshim se është futbollisti i njohur Ismet Munishi.
Ish anëtari i Flamurtarit, i Kosovës (P), i Trepçës, edhe pse nuk ishte aktiv në fushën e gjelbër për një kohë të gjatë, këtë nuk e bëri edhe në Facebook, ku ishte ‘online’ thuajse çdo ditë.
Mirëpo, për dallim prej shfrytëzuesve të tjerë, Munishi ia ka parë hajrin kësaj ueb faqeje. Ai vendimin për t’iu rikthyer futbollit e ka marrë duke u bazuar edhe në këshillat e miqve të tij të Facebook-ut, numri i të cilëve është rreth 600.
Para se të marr një vendim për t’iu rikthyer fushës së gjelbër nick-name i Munishit në profilin e tij në Facebook ishte: “Po mendoj seriozisht të kthehem përsëri për të luajtur. Kam nevojë për këshillat e juaja, miq. Më këshilloni ju se për cilin klub të luaj, për Vëllaznimin, Trepçën apo Flamurtarin?”.
Pas këshillave nga miqtë, ish futbollisti i Vorsklas, i Mariborit e i Kocaelisporit mori vendim që t’i bashkohet skuadrës së Vëllanimit, ku është shumë i adhuruar nga tifozët e këtij klubi “Kuqezinjtë e Jakovës”.
“Normalisht që ato këshilla më kanë ndihmuar për të vendosur të kthehem në Vëllaznim, sepse shumica e miqve më thanë të kthehem në këtë klub. Kur njeriu merr vendime të tilla, ka nevojë të këshillohet me miq. Nëse tenton të konsultohesh gojarisht, atëherë të duhet kohë një javë apo ndoshta edhe më tepër. Kurse në Facebook këshillat të vijnë për pesë minuta”, deklaroi Munishi për G.J.
Ai tha se mesatarisht Facebook-un e shfrytëzon një orë e gjysmë brenda ditës, ndonëse nganjëherë edhe tri orë në ditë. Munishi i tregoi edhe arsyet sipas të cilave e shfrytëzon këtë ueb faqe.
“Më së shumti e shfrytëzoj Chat-in. Aty kontaktoj me familjarë të mi, me ish bashkëlojtarët, miq të ndryshëm, me ndonjë vajzë e kështu me radhë”, tha Munishi duke qeshur.
Por, duhet përmendur se Munishi është aktiv edhe në lojën shumë atraktive të Facebook-ut, Poker. Ai po ashtu shpeshherë edhe poston nick-name të ndryshëm në profilin e tij, si: ‘Deri në vdekje kuq e zi’ dhe disa nick-name të tjerë që kanë të bëjnë kryesisht me Vëllaznimin, por edhe me klubin spanjoll Real Madrid.
Por, nuk është Munishi i vetmi aktiv në Facebook. Këtë ueb faqe shfrytëzojnë mjaft shumë edhe Arben Zhjeçi, Robert Gjeraj, Yll Hoxha, Drilon Dragusha, Virtyt Hashani, Patrik Doqi, Florent Papuqi, Florent Sejdiu, Valon Bajrami, Flamur Neziri, basketbollistët Granit Rugova e Hekuran Binxhija, trajnerë të sporteve të ndryshme.
Por, sportistët nuk janë të vetmit që përdorin Facebook’un, pasi aktiv në këtë ueb faqe janë edhe krerë të federatave, siç është Erolld Belegu i Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Bedri Cahani, kryetari i Federatës së Bodybuildingut të Kosovës e shumë sportistët të tjerë.