07 maj 2011

Sot futbollist, nesër simbol


Alessandro Del Piero do të jetë kapiteni i parë i Juventusit në stadiumin e ri, në të cilin do të paraqiten nga sezoni i ardhshëm. Sulmuesi 36 vjeç ka nënshkruar kontratë të re njëvjeçare që mund edhe të jetë e fundit në karrierën e tij si futbollist duke kompletuar 19 sezone me Bianconerët. Në edicionin e ardhshëm, ai shpreson të fiton Scudetton.

Pritja mori fund. Del Piero vazhdoi kontratën e tij me Juventusin edhe për sezonin e ardhshëm. Juventus konfirmoi qëndrimin e kapitenit së bashku me të gjitha rekordet e tij (674 paraqitje dhe 283 gola për Bianconerët) për sezonin e nëntëmbëdhjetë të njëpasnjëshëm.

Marrëveshja e re u finalizua të enjten pasdite, ndërsa Del Piero është shprehur i lumtur me kontratën e nënshkruar në stadiumin e ri, ku skuadra do të paraqitet nga sezoni i ardhshëm.

“Stadiumi i ri ishte vend i përkryer për të nënshkruar kontratën. Është një ditë e përkryer edhe për shkak të përvjetorit të 5 majit 2002 (duke iu referuar Scudettos së fituar në xhiron e fundit të sezonit më 5 maj 2002, duke tejkaluar Interin). Klubi dhe unë i kemi vendosur idetë tona në letër dhe jam i lumtur që kam vazhduar edhe për një vit”, tha Del Piero për mediet italiane.

“Gjatë këtij sezoni, asnjëherë nuk më ka shkuar mendja rreth largimit. A do të jetë kontrata ime e fundit? Për gjëra të tilla duhet të mendoni vit pas viti, Jam ende në një copë, dhe ndihem mirë. Prej nënshkrimit tim të parë, edhe sot ndjej dëshirën e njëjtë për të fituar, përkushtimin e njëjtë dhe kënaqësinë e lojës. Synimi im, dhe ai i Juventusit është të arrijmë sukses. Kjo lidhet me këto ngjyra. Përderisa të kem këtë motivim, do të vazhdoj të luaj futboll. Uroj që sezonin e ardhshëm të fitoj edhe një Scudetto”, shtoi ai.

Edhe presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli kurorëzoi kapitenin. “Del Piero do të jetë kapiteni i parë i Juventusit në stadiumin e ri dhe kjo më gëzon. Është datë e mirë për të vazhduar. Do të jetë viti i fundit. Kam kërkuar prej tij të përfundojë aventurën e tij në bardhezi me një fitore të rëndësishme. Nga ana ime, asnjëherë nuk kam pasur asnjë dyshim. Në fillim të sezonit e kam pyetur të më tregojë se si ndihet në fund dhe nëse dëshiron të vazhdojë. Ai më ka thënë se mezi pret të luajë edhe sezonin e ardhshëm”, tha
Agnelli.

“Kontributi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm. Del Piero është i lumtur për stadiumin e ri dhe më ka thënë se ai do të na sjellë 9-10 pikë shtesë për sezon. Përveç pikëve, çka pres nga stadiumi i ri? Fitoret e së kaluarës. Përkushtimin e Del Pieros, vendosmërinë dhe dëshirën e tij për të fituar, të gjitha këto që e bëjnë të jetë një futbollist i madh. Sot ai është ende një futbollist, më pas do të bëhet një simbol”, shtoi ai.

Duke komentuar lëvdatat e presidentit Agnelli, Del Piero theksoi: “Përkrahja e presidentit nuk më ka munguar asnjëherë”, përfundoi ai.
/JUVENEWS.TK/