15 maj 2011

Përmbledhja e Lajmeve nga JuveNews.TK


Të nderuar vizitor të web faqes Sportive www.JuveNews.Tk Sot në Rubriken "LAJME NEWS" mund të informoheni mbi ngjarjet më të rëndësishme që ndodhën në Vend, Rajon dhe Botë..

Prishtina dështon të rikthehet në krye

Prishtinë, 15 maj - Ferizaj e Prishtina nuk e realizuan qëllimin për të arkëtuar tri pikë në derbin e javës së 28-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Dueli i zhvilluar të dielën në Ferizaj përfundoi pa fitues, 1:1. Faton Syla (75') shënoi për vendasit, kurse barazoi Azem Ahmeti në minutën e 86-të.
Pika e fituar nuk i mjaftoi Prishtinës të kthehet në pozitën e parë ku ndodhej kohë të gjatë. Prishtina vendin e parë e humbi të shtunën. Tani renditet e dyta me 59 pikë, një më pak se lideri i ri, Hysi. Ferizaj përkundër pikës së fituar ka zvogëluar gjasat për sigurim të ekzistencës. Është i fundit me 25 pikë.
Në Mitrovicë, kampionia në fuqi Trepça rrezikoi shumë herë portën e Valmir Bytyçit, por në fund është dashur të kënaqet me vetëm një pikë. Ndeshja përfundoi me rezultat të bardhë, 0:0. Pas këtij barazimi Trepça është e gjashta me 39 pikë, një më pak se Besa që renditet e pesta.
Vëllaznimi ka mbetur në garë për të siguruar ekzistencën. Ekipi gjakovar të dielën ka fituar duelin me Drenicën me rezultat minimal 1:0. Lojtari mysafir Sedat Jashari, në tentativë për të ndalur një gjuajtje të Gjergj Bushajt, që po shkonte në drejtim të golit, ka shënuar autogol. Ky gol i realizuar në minutën e 15-të doli të jetë i vetmi në gjithë takimin.
Në Rahovec, ndërkaq, Guraziu ia siguroi Ballkanit tri pikë të mëdha, duke shënuar golin e fitores për Ballkanin në ndeshje kundër Flamurtarit. Me këtë fitore skuadra therandase është ngritur në pozitën e tetë në tabelë.

Rezultatet:
Trepça - Besa 0:0
Ballkani - Flamurtari 1:0
Vëllaznimi - Drenica 1:0
Ferizaj - Prishtina 1:1
Liria - Trepça '89 1:1
KEK-u - Hysi 0:1

Në javën e 29-të, më 21/22 maj takohen: Trepça '89 - Ballkani, Flamurtari - Vëllaznimi, Drenica - Ferizaj, Prishtina - KEK-u, Hysi - Trepça, Besa – Liria.
******************************************

Roma pa Ligën e Kampionëve, Sampdoria në Serie B

Romë, 15 maj - Futbollistët e Romës me humbjen nga Catania në xhiron e parafundit të Serie A i humbën të gjitha shanset për të zënë vendin e katërt në renditjen tabelare, kurse ekipi me traditë të gjatë dhe disa herë kampion i Italisë, Sampdoria sezonin e ardhshëm do të garojë në një rang më të ulët, në Serie B.
Juventusi ka pasur rast të mirë për ta zënë Romën në pozitën e gjashtë në tabelë, por ekipi torinez sërish zhgënjeu duke humbur si mysafir i Parmës, ekip ky që nuk e kishte imperativ fitoren pasi tashmë ka siguruar ekzistencën.

Xhiro e 37-të:
Lazio - Genoa 4:2
Milan - Cagliari 4:1
Fiorentina - Bologna 1:1
Bari - Lecce 0:2
Catania - Roma 2:1
Cesena - Brescia 1:0
Chievo - Udinese 0:2
Parma - Juventus 1:0
Sampdoria - Palermo 1:2

Ekipi i Milanit, i cili tashmë ka siguruar titullin e kampionit dhe ka kremtuar titullin në qendër të Milanos (siç shihet në foto), sonte ndeshet me Napolin.

Tabela: Milan 81, Inter 72, Napoli 68, Udinese 65, Lazio 63, Roma 61, Juventus 57, Palermo 56, Fiorentina 50, Genoa 48, Catania 47, Cagliari 44, Parma 45, Chievo 43, Cesena 43, Bologna 42, Lecce 41, Sampdoria 36, Brescia 30, Bari 21.
**************************************************

Tottenhami kaloi Liverpoolin në tabelë

Londër, 15 maj – Lojtari i kombëtares së Kroacisë, Llula Modriq ishte realizues i golit të dytë për Tottenhamin kundër Liverpoolit (2:0), në ndeshjen e zhvilluar në kuadër të xhiros së 37-të të Premier League.

Me tri pikë të reja, londinezët kaluan Liverpoolin në vrapin për vendin e fundit që çon në Europa League sezonin e ardhshëm.

Golin e parë për Tottenhamin e shënoi Rafael van der Vaart, me rastin e dëbimit të topit pas krosimit të Lluka Modriqit nga këndi.

Në takimet e tjera të sotme u regjistruan këto rezultate:

Chelsea Newcastle 2:2
Arsenal - Aston Villa 1:2
Wigan - West Ham 3:2
Birmingham - Fulham 0:2.

Renditja në tabelë një xhiro para përfundimit: Manchester United 77, Chelsea 71, Arsenal 67, Manchester City 65 (-1), Tottenham 59, Liverpool 58...
********************************************

Tevez akoma nuk ka vendosur për të ardhmen

Manchester, 15 maj - Sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez, akoma nuk ka vendosur se çka do të bëjë në fund të këtij sezoni, por thekson se nuk është në konflikt me trajnerin Roberto Mancinin.
Edhe pse është folur se arsyeja e largimit të argjentinasit nga Man. City mund të ishte grindja me trajnerin, megjithatë, siç thotë Tevez, kjo nuk ka ndodhur, transmetojnë mediet britanike.
“Dua t’ia bëjë të qartë të gjithëve se nuk kam kurrfarë probleme me Mancinin, pavarësisht shkrimeve në media. Vendimi do të merret në rrethin familjar dhe kjo nuk ka kurrfarë lidhje me pakënaqësinë në klub apo trajnerin”, ka thënë Tevez.
********************************************

Rangers kampion i Skocisë për herën e 54-të

Glasgow, 15 maj - Futbollistët e Glasgow Rangers për herën e 54-të në histori janë bërë kampion të Skocisë, duke përfunduar sezonin me një pikë epërsi nga rivali Celtic, i cili ka qenë kampion 42 herë.
Të dy pretendentët për fron kryen me sukses punën në xhiron e fundit – Rangers mundi ekipin Kilmarok si mysafir me 5-1, ndërsa Celticut nuk i ndihmoi fitorja 4-0 kundër Madervelit, me të cilin do të takohet në finalen e Kupës.
Edhe këtë herë, rivalët e qytetit nga Glasgow lanë shumë larg konkurrentët: Rangers përfundoi sezonin me 93 pikë, ndërsa Celtic me 92, ndërsa Harts në vendin e tretë mblodhi 63 pikë.
*******************************************

Blatter i bindur në rizgjedhje

Ramallah, 15 maj - Presidenti i Federatës Botërore të futbollit (FIFA), Sep Blatter, ka deklaruar se është i bindur se në qershor do të rizgjidhet në këtë funksion.
Blatter tha se FIFA-s i duhet unitet, dhe jo revolucion. Ai iu drejtua medieve në Ramallah, ku hapi turnirin e parë ndërkombëtar për klube në Palestinë. Pas Palestinës, ai do të vizitojë edhe Izraelin.
Zgjedhjet për president të FIFA-s do të mbahen në qershor, ndërsa si kundërkandidat ka Muhamed bin Hamam, i cili kërkon dorëheqjen e kreut të shtëpisë botërore të futbollit për shkak të skandaleve rreth blerjes së votave gjatë zgjedhjes së nikoqirit të Kampionateve Botërore më 2018 dhe 2022.
*******************************************

Milani feston në San Siro

Milano, 15 maj - Fitore 4-1 ndaj Cagliarit dhe fishekzjarrë pas ndeshjes për të festuar titullin e 18-të për Milanin në mbrëmjen e djeshme në San Siro.
Të gjithë futbollistët kuqezinj kanë festuar para 80 mijë tifozëve që kishin mbushur shkallët e stadiumit të Milanos.

Të gjithë protagonistët e sezonit janë thirrur me radhë nga spikeri për të marrë ovacionet e publikut dhe medaljet e kampionit, transmeton TCH.

Milan mundi mbrëmjen e djeshme 4-1 Cagliarin me gola të Robinhos (2), Gattusos dhe Seedorfit. Goli për sardët u shënua nga Cossu.
*******************************************

Reali kërkon 57 milionë euro për Kakan

Madrid, 15 maj - Manchester City dhe Chelsea duhet të zbrazin arkat nëse duan të kenë shërbimet e Kaka’ në sezonin e ardhshëm.
Sipas “People”, Real Madrid kërkon rreth 57 milionë euro për lojtarin brazilian.

Edhe pse Kaka’ e ka derën e largimit të hapur, madrilenët nuk do të pranojnë oferta të ulëta për sulmuesin e tyre.
******************************************

Mourinho: Fergusoni është frymëzimi im

Madrid, 15 maj - Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, nuk e fsheh admirimin për kolegun nga Manchester United, Alex Ferguson, i cili me titullin e 12-të të tij, që është titulli i 19-të për “djajtë e kuq”, ktheu klubin nga “Old Trafordi” në fron.
“Ai është një frymëzim i plotë. Gjithmonë kam folur se ai është një nga arsyet kryesore që erdha në Angli dhe mora drejtimin e Chelseat. Entuziazmi i tij për futbollin është ‘ngjitës’, por në të njëjtën kohë ai është model për të gjithë trajnerët ambiciozë. Kur mendoni fjalët ‘Sir Alex Ferguson’ dy gjëra ju bien në mend: origjinaliteti dhe suksesi i tij”, ka thënë Mourinho.
Mourinho shtoi se për titullin e ri të Man. Unitedit meritat më të mëdha i takojnë Fergusonit.
******************************************

Gomez, golashënuesi më i mirë i Bundesligës

Berlin, 15 maj – Sulmuesi i Bayernit, Mario Gomez, është golashënuesi më i mirë Kampionatit gjerman të futbollit me 28 gola të shënuar.
Sulmuesi 25-vjeçar në sezonin 2010/2011 ka tundur 39 herë rrjetën kundërshtare, duke llogaritur të gjitha garat në të cilat është paraqitur, por siç thekson – nuk është i interesuar të ndalet me kaq, transmetojnë mediet gjermane.
Ai ka shënuar pesë herë het trik në ndeshjet e Bundesligës, duke ia kaluar Gerd Millerit të famshëm, i cili e arriti këtë 6 herë në sezonin 1971/1972.
******************************************

Ferguson dëshiron t’ia kalojë Liverpoolit

Londër, 15 maj – Pasi që ekipi i tij u bë me më së shumti trofe në historinë e futbollit anglez me 19 tituj kampioni, trajneri i Manchester Unitedit, Alex Ferguson, ka synim të ri. Tani ai synon t’ia kalojë Liverpoolit për nga numri i titujve të fituar në Ligën e Kampionëve.
Ferguson mori drejtimin e “djajve të kuq” më 1986, dhe fitoi 12 tituj kampioni me Manchesterin, transmetojnë mediet britanike.
Man. United, i cili ka tre tituj të ekipit më të mirë të kontinentit të vjetër, do të ketë rastin që në fund të muajit ta rrisë këtë numër në katër, kur në stadiumin e Wembleyt pret Barcelonën.
******************************************

Maradona, trajneri i ri i Al Wasl

Romë, 15 maj - Ish-përzgjedhësi argjentinas dhe një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave, Diego Maradona (50), ka marrë një angazhim të ri si trajner, ka raportuar gazeta “La Gazzette dello Sport”.
Sipas kësaj gazete, Maradona tashmë ka nënshkruar kontratën dyvjeçare me Al Wasl, klubin e pasur nga Dubai. Ai ka marrë dritën e gjelbër nga pronari i klubit që të sjellë edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë, derisa kishte udhëhequr kombëtaren argjentinase.
Për Maradonën ky do të jetë rasti i katërt në karrierën si trajner, pasi që më parë kishte udhëhequr Mandiyu de Corrientes (viti 1994, 11 ndeshje), Racing de Avellabedu (1995., 12 ndeshje) dhe kombëtaren argjentinase (midis nëntorit 2008 dhe qershorit 2010).
*******************************************

Januzi i shënon kampionit

Kiev, 15 maj - Sulmuesi kosovar Ahmed Januzi ka shënuar golin e vetëm për Vorsklan që të shtunën barazoi 1:1 me kampionin e Ukrainës, Shaktar Doneckun. Ndeshja e luajtur në Poltava i takonte javës së parafundit (29) të kampionatit ukrainas. Januzi shënoi në minutën e fundit të pjesës së parë për të barazuar shifrat në 1:1. Ai realizoi gol të bukur me kokë pas një rivënie nga këndi. Ky ishte goli i shtatë këtë edicion për Januzin. Ai të shtunën luajti deri në minutën e 92-të. Mbrojtësi Armend Dallku luajti tërë ndeshjen për Vorsklan. Të dy lojtarët u ndëshkuan me kartonë të verdhë. Vorskla është e gjashta me 38 pikë.
***********************************************

Bajrami i zhgënjyer, Ajaksi kampion

Skuadra e futbollit Ajaksi është kampion i ri i Holandës, pasi në javën e fundit e ka mposhtur me rezultat 3:1 Twenten. Kjo ndeshje ka qenë derbi i tërë kampionatit dhe që vendosi titullin. Ajaksi luajti shumë më mirë dhe si rezultat i kësaj ka triumfuar, që në fund së bashku me tifozët kremtuan edhe titullin e kampionit. Shqiptari nga Kosova, Emir Bajrami është aktivizuar në lojë nga minuta e 78-të, por kot që të arrijnë të paktën të barazojnë shifra. Ai me shokë lëshuan kokulur fushën, për faktin se nuk arritën të mbrojnë titullin e kampionit. Ajaksi është kampion me 73 pikë, kurse Twente është e dyta me 71 pikë.
*********************************************

Lala - titullar në fitoren e Hannoverit

Futbollisti shqiptar, Altin Lala, në javën e fundit të Bundesligës I ka shijuar epitetin e titullarit në fanellën e skuadrës së Hannoverit, e cila si vendas ka shënuar fitore me rezultat 3:1 kundër Nyrnbergut. Hannoveri ka dëshmuar lojë shumë më të mirë dhe si rrjedhojë e kësaj ka qenë edhe fitorja bindëse. Lala luajti me mjaft sukses deri në minutën e 58-të, ku u zëvendësua nga Schmiedebach. Hannoveri ka zënë vendin e katërt në tabelë me 60 pikë dhe ka siguruar pjesëmarrje në kualifikimet për Champions League.
******************************************

Berisha dëshmoi formë të mirë

Portieri nga Kosova, Etrit Berisha, ka mbrojtur me sukses të madh në fanellën e Kalmarit. Ai me Kalmarin para shikuesve të vet mposhtën me rezultat 2:0 Hacken-in, në kuadër të javës së tetë të Kampionatit të Suedisë në futboll. Berisha ka pasur intervenime të suksesshme në disa momente dhe madje ka qenë edhe ndër më të merituarit për këtë fitore. Kalmari me tri pikë të reja tash është ngjitur në vendin e dytë me 16 pikë dhe është njëri prej konkurruesve në luftë për titullin e kampionit. Në javën e ardhshme (me 20 maj) si mysafirë do të luajnë kundër Helsingborg-ut, që kryeson tabelën me 17 pikë.
********************************************

Fitorja e parë!

Reprezentuesi i Kosovës, Anel Rashkaj, me Halmstadin shijuan fitoren e parë pas tetë javësh në elitën e futbollit suedez. Halmstadi ka shënuar fitore të rëndësishme me rezultat minimal 1:0 ndaj Mjallbyt. Rashkaj luajti 90 minuta me sukses të lartë, se bashku me shokë zbatuan të gjitha detyrat e parashtruara nga trajneri. Goli i fitores është shënuar në minutën e 12-të nëpërmjet futbollistit Rosengren. Skuadra e Halmstadit me fitoren e parë dhe me tri pikë të arkëtuara lëshojnë vendin e fundit, duke u ngjitur në pozitën e 14-të me 5 pikë të tubuara.
******************************************

Ujkani me Novarën ruajtën vendin e tretë

Portieri Samir Ujkani me skuadrën e tij, Novara, kanë ruajtur vendin e tretë në tabelën e klasifikimit në Serie B të Italisë në futboll. Ujkani edhe njëherë ka dëshmuar cilësitë e tija në portë, duke qenë edhe protagonist i kësaj fitore me vlera të mëdha që ia shtojnë gjasat që garat t’i përfundojnë në këtë pozitë, për t’i siguruar plasman më mirë në garat e play-offit për t’u ngjitur në Serie A. Novara para tifozëve të vet me shumë mund ka shënuar fitore me rezultat 2:1 kundër skuadrës së Frosinones. Portieri shqiptar si zakonisht edhe këtë herë ka qenë titullar, duke pasur një paraqitje të mirë në portë. Ai me shokë iu gëzua kësaj fitore me rëndësi dhe dy javë para se të përfundoi edicioni e zënë vendin e tretë me 67 pikë ose kanë dy më shumë se i dyti, Varese. Në javën e 41-të (të parafundit) do të luajnë si udhëtues me Pescara-n, takim ky që do të jetë tepër i vështirë, por mbesin me shpresa se mund të kthehen me rezultat të favorshëm dhe të ruajnë pozitën e tashme.
*****************************************

Januzi shënoi kundër Shakhtarit

Futbollisti shqiptar, Ahmed Januzi ka pasur paraqitje të shkëlqyer me Vorksla Poltava në përballje me skuadrën e njohur ukrainase, Shakhtari. Ballafaqimi ndërmjet këtyre rivalëve ka përfunduar baras, 1:1. Januzi në minutën e 45-të ka shënuar për shifrat 1:1, gol i cili iu solli edhe një pikë të rëndësishme skuadrës së tij. Vorksla me këtë pikë ka përforcuar vendin e gjashtë me 38 pikë një javë para se të përfundoj kampionati në Ukrainë. Januzi me Vorksla në javën e ardhshme si udhëtues do të takohen me Karpaty-n, nga i cili takim shpresojnë të kthehen të pamposhtur. Gjasat i kanë të mëdha që kampionatin ta përfundojnë në vendin e 6-të që do të ishte edhe sukses.
********************************************

Trofeu i parë pas 42 vjetësh

Futbollistët e Mançester Sitit kanë fituar Kupën FA, pasi në finale mposhtën ekipin Stouk me rezultat 1:0.
Golin e vetëm, por i cili skuadrës ia solli trofeun e parë pas 42 vjetësh, arriti ta shënojë Jaja Ture në minutën 73.
Në këtë mënyrë, Siti ka fituar për herë të pestë kupën FA.
Reprezentuesi i Bregut të Fildishtë dhe njëri nga futbollistët më të paguar në botë, një ditë pas festimit të datëlindjes së tij të 28-të, arriti të shënojë golin e vetëm në këtë takim, duke i sjellë trofeun e parë Roberto Mançinit qëkur eksperti italian ka ardhur në ekip.
Ndryshe, herën e fundit Kupën FA skuadra e Siti e ka fituar në vitin 1969.
*********************************************

Lacio drejt Ligës së Kampionëve

Të shtunën janë zhvilluar dy ndeshjet e para të xhiros së parafundit të Serie A, ku fitore realizuan Lacio kundër Gjenovës 4:2, ndërsa Milan mposhti lehtë Kalarin me rezultat 4:1.
Lacio me dy golat e Hernanes lehtë ia doli në fund me Gjenovën. Pas kësaj fitoreje Lacio përkohësisht ka kaluar Udinezen dhe është ngritur në vendin e katërt, i cili dërgon në Ligën e Kampionëve, por “bardh-e-zinjtë” mund ta rikthejnë pozitën nëse nesër mposhtin Kievon si mysafir.
Kampioni i ri Milan kreu shkëlqyeshëm punën e tij kundër Kalarit. Robinjo me dy gola dhe Gatuzo me një gol në 35 minutat e parë sollën “rosonerët” në epërsi 3:0, ndërsa Sedorf shënoi golin e katërt. Golin e vetëm për mysafirët e shënoi Kosu.
**********************************

Volfsburg mbetet në Bundesligë

Në ndeshjen e fundit të kampionatit gjerman në futboll, Volfsburg shënoi fitore 3:1 kundër Hofenhajmit dhe në këtë mënyrë edhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Bundesligë. Përveç Sent Paulit, në sezonin 2011/12 në Bundesligën 2 gjermane do të luajë edhe Ajntraht Frankfurt.
Borusia nga Menhengladbahu do të luajë në barazh për mbijetesë në Bundesligë me ekipin e tretë nga liga e dytë, i cili do të jetë Bohumi ose Grojter Firt.
Kampioni i ri i Gjermanisë ishte në disavantazh në Dortmund nga Ajntraht Frankfurt, por me golat e Lukas Barios erdhi deri te fitorja, me të cilën u përshëndet nga tifozët për këtë sezon.
Edhe Bajern me fitore përfundoi sezonin e vështirë. Edhe pse ishin në disavantazh, bavarezët me golat e Gomes dhe Shvajnshtajger fituan në “Alianc Arena”.
Bajer Leverkuzen arkëtoi tri pikë në Frajburg dhe ka mbajtur vendin e dytë në tabelë, andaj Bajern Munih duhet të luajë në kualifikime për në Ligën e Kampionëve, ku kundërshtar potencial mund të jetë Mançester Siti.
********************************************

Altintop kalon në Real Madrid

Reprezentuesi i Turqisë dhe anëtari i Bajern Munihut, Hamit Altintop, ndodhet një hap larg marrëveshjes me Real Madridin, transmeton gazeta spanjolle “Marka”, duke mos cituar burimet e lajmit.
“Pritet që angazhimi i Altintop në Real të zyrtarizohet të hënën”, shkruan gazeta sportive.
Gazeta tjetër sportive “As”, po ashtu konfirmon se Altintop është pranë marrëveshjes me Realin dhe shkruan se ardhja e tij në klubin mbretëror bëhet me kërkesë të Hoze Murinjos.
Altintop gjatë angazhimit katërvjeçar për Bajernin ka luajtur 63 ndeshje.
Në Real javën e kaluar nga Borusia Dortmund arriti bashkëkombësi i Altintop, Nuri Sahin, i cili ka nënshkruar kontratë në vlerë 10 milionë euro.
********************************************

Këln me trajner të ri

Trajneri norvegjez i futbollit Stal Solbaken do të marrë sezonin e ardhshëm Këlnin, ka njoftuar të shtunën skuadra gjermane.
Këln ka përfunduar sezonin në vendin e dhjetë në Bundesligë, ndërsa në xhiron e fundit mposhti Shalken me rezultat 2:1.
Trajneri norvegjez Solbaken (43) do të prezantohet zyrtarisht më 17 maj, ndërsa ekipin do ta marrë më 1 korrik.
Këln është pa trajner qëkur Frank Shafer braktisi ekipin muajin e kaluar.
Solbaken ka qenë trajner i Kopenhagës, me të cilën ka fituar pesë tituj në Danimarkë.
******************************************

Shkëndija kampione, Renova ndjekë pozitën e dytë

Shkëndija pas fitores ndaj Turnovos dhe barazimit të Metalurgut, është shpallur kampione e Ligës së parë të Maqedonisë. Ky është viti i dytë me radhë që një skuadër shqiptare shpallet kampione në Maqedoni, pasi që vitin e kaluar u shpall skuadra tjetër shqiptare nga Tetova, Renova.
Ekipi tetovar të shtunën e ka kompletuar fitoren e 20-të të stinorit, derisa ka triumfuar si mysafir Turnovos me rezultat 2:0 duke i dhënë fund luftës për titull. Autor të fitores së ekipit shqiptar ishin Hyseini (35’) dhe Hasani (52’ pen), me të cilën ai ka arritur në kuotën e 67-të pikëve të pa arritshme për përcjellësin e parë, Metalurgun e Shkupit.
Renova e Xhepcishtit gjithashtu ka triumfuar në kuadër të javës së 30-të dhe kështu ka mbetur në garë për pozitën e dytë.
Renova ka mposhtur në terren të vet Teteksin e Tetovës me rezultat 4:2. Emini (27’), Stepanovski (48’), Ismaili (83’) dhe Jancevski (90’) ishin autor të fitores së Renovës, me të cilën ajo ruajti pozitën e tretë.
Aktualisht Renova ka tri pikë më pak se Metalurgu, me të cilin do të ndeshet javën që vjen, në luftë për pozitën e dytë. Tre javë kanë mbetur deri në përfundim të kampionatit.
*********************************************

Krasniqi kthehet në Islandë

Pas një aventure të shkurtër në futbollin kosovar me Hysin, Benis Krasniqi është kthyer në Islandë.
Mbrojtësi pejan qetësisht e ka marrë vendimin për të braktisur radhët e ekipit llapjan dhe ka vendosur të kthehet prej atje nga kishte ardhur në fillim të këtij viti, në kërkim të vazhdimit të karrierës së tij.
“Nuk ishte vendim i vështirë, pasi që kam mbetur i zhgënjyer me tretmanin që më është bërë te Hysi”, tha mbrojtësi 30-vjeçar.
“Kam ardhur te Hysi për të luajtur, por kërkesa ime nuk u mor parasysh sa duhet. E humba durimin dhe vendosa të kthehem sërish në Islandë”.
Ai është shumë pranë marrëveshjes me një klub të kategorisë së dytë islandeze.
“Kam pasur kontakte të drejtpërdrejta me krerët e Haukarit dhe pres që shumë shpejt të arrij marrëveshje për një kontratë njëvjeçare. Besoj që gjatë javës që vjen do të merremi vesh dhe firmos”.
Krasniqi edhe më herët ishte anëtarë i Haukarit, në vitin 2008, derisa karrierë ka bërë me ekipet Besa (Pejë), Hysi, Besa (Kavajë).
**************************************

Beqiraj: Halilhoxhiq, trajneri më i mirë

Sulmuesi i Dinamos se Zagrebit, Fatos Beqiraj ka thurur lavde për ish-trajnerin e tij të Dinamos, Vahid Halilhoxhiq, duke thënë se ai është një trajner fantastik.
“Nuk di si mendojnë lojtarët tjerë, por për mua Halilhoxhiq është trajneri më i mirë që kam pasur ndonjëherë”, tha Beqiraj, pas paraqitjes tejet të mirë që kishte në kuadër të Kupës së Kroacisë, kundër Varazhdinit, në të cilin shënoi dy gola derisa skuadra e tij fitoi me rezultat 5:1.
Trajneri kroat ishte më meritori që Beqiraj erdhi në Dinamo. Ai insistoi të blejë nga Buduçnosti, duke thënë se ai shumë shpejt do t’i bashkohet ndonjë klubi të madh evropian.
******************************************

Curri vazhdon me Erzgebirge AUE

Mesfushori shqiptar Skerdilajd Curri ka vazhduar kontratën me ekipin e Bundesliga II, Ergsebirge AUE.
Mesfushori 35 vjeçar ka zgjatur kontratën me klubin gjerman deri në qershor të vitit 2013. Curri është pjesë e skuadrës së Erzgebirge AUE që nga viti 2003, kur edhe ka debutuar me ekipin e parë, ndërsa deri në fund të kontratës do të shënojë plot 10 vjet karrierë me këtë ekip.
Curri ka filluar me futboll te Besa e Kavajës, për të kaluar një kohë te Partizani i Tiranës, kurse në Gjermani ka bërë karrierë edhe me ekipet Unterhaching, Starnberg dhe VFC Plauen.
*******************************************

Nikçi: Jemi më afër titullit

Zurichu nuk e ka fituar derbin me Baselin, mirëpo në fund megjithatë, do t’i gëzohet titullit të kampionit në Superligën e Zvicrës. Kështu ka deklaruar të premten mesfushori shqiptar i Zuriçhut, Adrian Nikçi, i cili në derbin shqiptar të së mërkurës ishte njëri prej dy realizatorëve për ekipin e tij.
“Gjasat janë të mira që ne ta ruajmë vendin e parë deri në fund”, tha Nikçi, 22-vjeçar.
“Ka edhe tri javë dhe neve na mbetet që t’i fitojmë të gjitha ndeshjet dhe ruajmë pozitën e parë në tabelë, duke mos shikuar se çka do të bëjë kundërshtari”.
Djaloshi pejan vuan për rastin e mirë që e pati Zurichu të fitojë derbin dhe të shkëputet në tri pikë nga rivali i vetëm, Baseli.
“E lëshuam rastin e mirë që të fitojmë derbin dhe t’i afrohemi më afër titullit. Ishim dy herë në epërsi dhe nuk ia dolëm të fitojmë, duke lënë të hapur garën e titullit deri në javën e fundit”, tha Nikçi.
“Pas golit të epërsisë që e shënova ndjeva një kënaqësi të madhe dhe shpresova se ai do të vendosë derbin e madh, por kjo zgjati vetëm pak, dy-tre minuta dhe çdo gjë u barazua, edhe rezultati edhe pikët”.
Nikçi kishte shënuar për epërsinë e dytë të Zurichut në minutën e 75-të, e që ishte dashur të ndërpresë serinë prej 20 ndeshjeve pa fitore të Baselit.
Megjithatë, në këtë situatë mesfushori shqiptar e sheh ekipin e tij më afër titullit karshi rivalit të përbetuar.
“Barazimi në derbi nuk ka vendosur asgjë dhe kjo ka bërë që të mos përcaktohet kampioni deri në ndeshjen e fundit. Unë mendoj se në fund do të jemi ne ata që do t’i gëzohemi titullit, pra me një fjalë ne jemi më afër titullit”, tha mesfushori i Zurichut, në radhët e të çilit paraqiten edhe Admir Mehmedi dhe Dukagjin Dedaj.
Titulli do të ishte një dhuratë e mirë për tifozët e klubit nga Letzigrund.“Qe dy vjet nuk e kemi fituar titullin, dhe ai do të ishte një dhuratë për tifozët tanë, e që na do të na mundësojë që sërish të paraqitemi në garën më të fortë evropiane, në Ligën e Kampionëve”.
Zurichu deri më tashti ka fituar 12 tituj të kampionit në Zvicër, derisa të fundit e ka fituar në vitin 2009. Nëse në fund të kampionatit Zurich dhe Basel kanë pikë të njëjta, atëherë do të vendosë golaverazhi, e nëse edhe ai është i njëjtë vendosin golat e shënuar në ndeshjet e ndërsjella.
**********************************************

Chicharitos i trefishohet paga

Mediat angleze raportojnë se Manchester United është i gatshëm të trefishojë rrogën e superyllit, Javier Hernandez, i cili në këtë sezon ka krijuar impakt me Djajtë duke u bërë njëri ndër lojtarët kryesorë për ta, e sidomos tani kur Reali është duke përgatitur një ofertë prej 20 milionë funte për të.
“Daily Mail” tregon se Manchester United do t’i ofrojë kontratë të re Hernandezit ku do të ketë një rrogë tre herë më të madhe se që e ka tani.
Shefat e United janë duke konsideruar t’i ofrojnë atij një kontratë katërvjeçare ku do të fitojë rreth 60 mijë funte në javë. 22-vjeçari u transferua nga Guadalajara në United sezonin e kaluar për 7 milionë funte, ndërsa për momentin ai është duke fituar 20 mijë funte në javë.
***********************************************

FA dënon Fergusonin pse lavdëroi Webbin

Federata Angleze do të dënojë Alex Fergusonin për komentet e tij para ndeshjes me Chelsean, kur ai foli për gjyqtarin Howard Webb.
FA ka konfirmuar akuzën dhe i ka lënë hapësirë përgjigjeje trajnerit deri të hënën më 16 maj. Komentet e Fergusonit për Webb, në fakt ishin pozitive, me Fergusonin që tha se ndeshjen do ta referonte gjyqtari më i mirë në Angli.
Por, rregullat e FA thonë se trajnerët nuk duhet të bëjnë fare komente për gjyqtarët. Ferguson nuk pritet të ndalohet nga bankina, por mund të dënohet me para.
***************************************************

Wenger: Nuk mund të premtoj më Ligën e Kampionëve

Arsenali këtë stinor mund të përfundojë si i dyti, i treti apo i katërti në Premier League. Kjo do të thotë se e ka të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, mirëpo një gjë të tillë në të ardhmen trajneri Arsen Wenger nuk mund t’ia garantojë klubit.
“Gjithnjë e më vështirë është të jesh në mesin e katër të parëve. Çdo stinor i ri qet në sipërfaqe një ekip kualitativ dhe kështu ta vështirëson punën në kërkim të katër vendeve të para. Stinori i ardhshëm do të jetë edhe më i vështirë, në garë do të jenë edhe Liverpool, Manchester City, e ndoshta Tottenham. Thjesht po them se duhet përmirësuar diçka në ekip nëse dëshirojmë të mbetemi ndër të parët”, tha Wenger.
*****************************************************

Mourinho e largon Valdanon nga Real Madridi?

Argjentinasi Jorge Valdano, drejtori sportiv i Real Madridit, është para largimit nga ky klub, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëdha me trajnerin portugez, Jose Mourinho, shkruan “El Mundo Deportivo”.
Komunikimi i dobët me portugezin dhe pamundësia që të jetë më afër ekipit e ka hidhëruar Valdanon, i cili ka shprehur dëshirën të largohet.
Gazeta njofton se presidenti i klubit, Florentino Perez, është i interesuar të mbajë Valdanon, për shkak të përvojës së tij, por në të njëjtën kohë edhe t’i shmanget problemeve eventuale.
Valdano ka kontratë me Realin edhe dy vjet të tjera. Nëse argjentinasi ikën, si paasardhës i tij përmendet, ish-mbrojtësi i Realit, Fernando Hierro.
*******************************************************

Benzema nuk lëviz nga Reali

Sulmuesi Karim Benzema nuk mendon për largim nga Real Madridi këtë verë, pavarësisht spekulimeve rreth transferimit të tij të mundshëm në Arsenal, ose Juventus, ka njoftuar menaxheri i tij, Kraim Djaziri.
“Karim nuk ka kohë të mendojë për largim nga Reali, ndërsa ne nuk kemi biseduar me Arsenalin ose ndonjë klub tjetër", tha Djaziri për të përditshmen sportive spanjolle, AS.
Karim dëshiron të mbetet në Madrid dhe të përsëritë paraqitjet e tij të mira të muajve të fundit”, shtoi ai.
***************************************************

Flores konfirmon largimin

Trajneri i Atletico Madridit, Quique Sanchez Flores ka konfirmuar se do të largohet nga detyra në fund të sezonit. Flores, i cili ishte emëruar në detyrë në tetor 2009, arriti sukses të madh sezonin e kaluar duke fituar Europa Leaguen dhe kaluar në finale të Copa del Rey.
Por, ky sezon ka qenë dëshpërues për Atleticon që u eliminua nga Evropa dhe aktualisht gjendet në pozitën e gjashtë.
Para ndeshjes të së shtunës kundër Herculesit, Flores tha: “Kjo është ndeshja ime e fundit në Vicente Calderon dhe shpresoj të kontrolloj emocionet”.
****************************************************

Hernanes mbetet në Lazio

Mesfushori i Lazios, Hernanes ka insistuar se dëshiron të mbetet në klub, edhe nëse skuadra nuk arrin të kualifikohet për në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
“E ardhmja ime nuk varet nga Liga e Kampionëve ose Europa League. Kam kontratë pesëvjeçare dhe jam i lumtur në këtë qytet. Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e këtij klubi dhe dua të dhuroj më tepër”, tha Hernanes për mediet italiane.
Një xhiro para fundit, Lazio gjendet në pozitën e pestë në Serie A, dy pikë më pak se Udinese, e katërta.
****************************************************

Kaka nuk kthehet në Milan

Nënkryetari i Milanit, Adriano Galliani ka përjashtuar mundësinë e rikthimit të Leite Kakas në klub, për sezonin e ardhshëm.
Së fundmi filluan të qarkullojnë spekulime se Rossonerët kërkojnë rikthimin e Kakas nga Real Madridi, mirëpo Galliani ka theksuar se një gjë e tillë nuk është e mundur.
“Fatkeqësisht Kaka nuk do të kthehet dhe arsyet janë ekonomike”, tha Galliani për të përditshmen sportive italiane, Gazzetta dello Sport. Kaka u transferua në Real Madrid më 2009 për 68.5 milionë euro.
***************************************************

Scholes mund të pensionohet

Drejtori ekzekutiv i Manchester Unitedit David Gill ka pranuar se ekziston mundësia që Paul Scholes të pensionohet në fund të sezonit.
Scholes fitoi titullin e tij të 10-të në Premierligë të shtunën kur Djajtë e Kuq u shpallën rekord kampion për herë të 19-të
Pas barazimit 1-1 në Blackburn. Kontrata e 36 vjeçarit skadon në fund të qershorit.
“Nuk do të befasohemi nëse Scholes pensionohet. Por, jam i sigurt se ai do të na njofton për vendimin e tij dhe ne do ta respektojmë atë. Ai ka qenë futbollist i shkëlqyeshëm për shumë vite”, tha Gill për Sky Sports.
***************************************************

De Gea vendos më 30 qershor

Portieri i Atletico Madridit David De Gea ka bërë të ditur se do të vendos rreth të ardhmes së tij më 30 qershor.
Manchester United besohet se ka arritur marrëveshje me Atleticon për transferimin e De Geas i cili megjithatë ende nuk ka vendosur rreth transferimit të mundshëm në Old Trafford.
“Nuk kam menduar aspak rreth kësaj. Kam kontartë këtu dhe do ët vendosi për të ardhmen time më 30 qershor. Jam i qetë, shumë gjëra janë thënë për mua por nuk mendoj se ato bëjnë mirë. Mund të jem në cilindo ekip por jam në Atletico Madrid”, tha De Gea për Marca.
***************************************************

Terry nuk largohet

Kapiteni i Chelseas John Terry synon të përfundon karrierën në Stamford Bridge. Qendërmbrojtësi 30 vjeç, ka edhe tri vjet në kontratën e tij aktuale por tashmë ka filluar të mendon për vazhdimin e marrëveshjes pas 2014-ës.
Real Madrid spekulohej se kërkon kapitenin e Anglisë mirëpo Terry insiston se nuk dëshiron të luan askund tjetër.
“Shpresoj të vazhdoj kontratën për së paku edhe një vit. Dua të mbetem këtu për sa më gjatë që mundem. E dua këtë klub dhe nuk dua të largohem asnjëherë”, tha Terry për Sky Sports News.
***************************************************

Inzaghi shpreson të mbetet në Milan

Sulmuesi i Milanit, Pippo Inzaghi zhvilloi ndeshjen e tij të parë nga nëntori dhe theksoi se dëshiron të përfundon karrierën e tij në San Siro.
Veterani 37 vjeç qëndroi jashtë fushës prej kur dëmtoi ligamentet e gjurit kundër Palermos më 10 nëntor por u inkuadrua si rezervist në minutat e fundit të fitores 4-1 ndaj Cagliarit të shtunën mbrëma.
“I falënderohem trajnerit, klubit, bashklojtarëve të mi dhe tifozëve që më kanë bërë të ndihem sërish si futbollist. Shpresoj të mbetem edhe për një vit, pasi do të ishte mëkat të ndahemi tani pas krijimit të një lidhjeje kaq të ngushtë. Mendoj se kam gjasa të mira të mbetem sepse nuk paraqet problem ekonomik meqë Milan më ka dhënë shumë dhe shpresoj të vazhdoj të luaj me këtë fanellë”, tha Inzaghi.
********************************************

Lille fiton Kupën e Francës

Lille është në rrugë për tu bërë kampion i dyfishtë pas triumfit në Kupën e Francës me fitore ndaj Paris Saitn Germain, të shtunën mbrëma.
PSG ishte duke mbrojtur kupën që fituan vitin e kaluar dhe ndeshja në Stade de France dukej se do të shkon në lojën shtesë. Por, drama ishte rezervuar për minutën e fundit kur Lille siguroi fitoren pas golit nga goditja e lirë e Ludovic Obraniak.
Ky është trofeu i parë për Lille nga 1955 ndërsa të dytin mund ta marrin fundjavën e ardhshme meqë janë lider në Ligue 1.
************************************************

West Hami largohet nga Liga Premier Shpërndaje

Pas humbjes nga Wigan Athletic, West Ham United i ka dhënë fund qëndrimit të gjashtëvjeçar në Ligën Premier.
Çekiçët patën avantazh të dyfishtë në pjesën e parë, mirëpo epërsia e tyre u përmbys në gjysmën a dytë, ashtu që ata u mposhtën me rezultat prej 3-2.
Ky dështim, padyshim që vë në pikëpyetje edhe të ardhmen e trajnerit Avram Grant.
Ndërkohë, Wigani ka bërë një hap të rëndësishëm që në javën e fundit të kërkojë qëndrimin në ligën kryesore angleze, pasi që tash ka 39 pikë, po aq sa Blackpooli dhe Birminghami.
Ndërkohë, edhe Wolverhamptoni dhe Blackburni që kanë nga 40 pikë, duhet të fitojnë në javën e fundit për të qenë të sigurt për qëndrim në Ligën Premier.
*********************************************

Dështojnë Arsenali dhe Liverpooli

Arsenali është mposhtur para tifozëve të vet me rezultat 2-1 nga Aston Villa, ndërkaq Liverpooli ka pësuar me rezultat 2-0 nga Tottenhami në Anfield.
Darren Bent ishte lojtari që me dy golat e tij (11’ dhe 15’) ndëshkoi Topçinjtë, ndërsa golin e vetëm për vendasit e shënoi Robin van Persie.
Ndërkohë, Rafael van der Vaart (9’) dhe Luka Modric nga pika e bardhë (56’) i kthyen Redsat me këmbë në tokë, pas fitoreve të njëpasnjëshme.
Kjo fitore e Spursave ka bërë që ata të pozicionohen mbi Liverpoolin në pozitën e pestë.
Më herët, Chelsea ka barazuar në shtëpi me rezultat 2-2 ndaj Newcastle United.
**********************************************

Galliani dëshiron ta mbajë Boatengun

Drejtori i Milanit, Adriano Galliani, ka konfirmuar se klubi mezi pret ta transferojë komplet kartonin e Kevin-Prince Boateng nga Genoa.
“Shpresoj që presidenti i Genoas, Enrico Preziosi, nuk do ta rrisë çmimin e tij”.
“Përpos se do të transferonim një lojtar të madh, ne do ta marrim edhe një shoumen, ai vërtet i ka lëvizjet sikur të Michael Jackson. Ai është balerin profesionist”.
“Ne kemi Seedorfin, i cili ka zë të mrekullueshëm dhe me Boatengun kemi gjithçka. Mirëpo, sezonin e ardhshëm duhet të përqendrohemi që ta fitojmë Ligën e Kampionëve”, potencoi Galliani.
*************************************************

Sanchez preferon CR7 para Messit

Ish-sulmuesi i Real Madridit, Hugo Sanchez, shpreson se Cristiano Ronaldo do ta mposhtë Lionel Messin dhe do ta fitojë Pichichin.
Sanchez aktualisht ndan rekordin e golashënuesit më të mirë në historinë e La Ligas gjatë një sezoni me Telmo Zarran me nga 38 gola.
“Unë e kam thënë këtë. Nëse është dikush që duhet ta thyejë atë, atëherë duhet të jetë një lojtar i Realit. Cristiano Ronaldo është madrilen”.
“Unë nuk dua që Messi ta bëjë këtë, jo për shkak të tij, por për shkak se luan për Barcelonën. Nuk e di nëse Ronaldo do ta thyejë atë, por sigurisht se ka gjasa të mira të bëjë këtë”, u shpreh Sanchez për Marca.
*************************************************

Wenger: Dua të forcoj çdo pozitë

Bosi i Arsenalit, Arsene Wenger, ka pranuar se ai planifikon që ta forcojë çdo pozicion në mënyrë që vitin e ardhshëm Arsenali të jetë më konkurrues.
“Varet nga cilësia dhe mundësitë. Ne nuk duam të përjashtojmë ndonjë pozitë, pasi nuk kemi ndonjë cak të caktuar. Ne do të përforcohemi në çdo pozitë. Por, së pari ne nuk dukemi dhe aq të dobët edhe nëse i mbajmë lojtarët dhe nëse tentojmë të transferojmë edhe disa”.
“Nuk është për numrin e lojtarëve, është për cilësinë e tyre. Unë nuk dua të marrë shumë lojtarë të pa nevojshëm. Unë ju premtoj se do të bëjmë transferime”, deklaroi Wenger.
***************************************************

Giggs: Titulli i parë më i mirë se sa rekordi

Mesfushori i Manchester United, Ryan Giggs, ka këmbëngulur se triumfi i tij i parë në Ligën Premier me Djajtë ishte më i mirë se sa thyerja e rekordit të Liverpoolit me titullin e 19-të.
“Që e tejkaluam Liverpoolin është një e arritur e jashtëzakonshme e lojtarëve, pasi klubi kishte nevojë për këtë, Sir Alex e meritoi atë”.
“Por, unë ende mendjo se titulli im i parë në vitin 1993 ishte më domethënës. 26 vjet pritje ishin shumë për Manchester United. Dhe mendoj për shkak të presionit për ta fituar të, titulli i parë pas shumë kohës bëhet më i rëndësishëm”, tha Giggs.
**************************************************

Van der Saar e dëshiron Stekelenburg si zëvëndësues

Portieri i Manchester United, Edwin Van der Saar, e sheh bashkëkombasin e tij Maarten Stekelenburg si zëvëndësuesin e tij ideal pasi të pensionohet.
“Është e qartë që Maarten po fokusohet për të luajtur në një kampionat më të madh dhe klub më të madh. Ai është i gatshëm për një transferim të madh”.
“Ai do të takohet edhe një herë me drejtuesit e Ajaxit për të dëgjuar çfarë janë duke i ofruar. Ai gjithmonë ka qenë i kënaqur te Ajaxi dhe ai klub ka domethënie për të. Por, ëhstë e qartë se klubet e mëdha janë në horizont”, ka deklaruar Van der Saar.
*****************************************************

Redknapp: L’pool e vështirëzon top katërshen

Bosi i Tottenhamit, Harry Redknapp beson se Liverpooli po e bën shumë të vështirë futjen në top katërsh sezonin e ardhshëm.
“Liverpooli do të jetë shumë i fortë sezonin e ardhshëm”.
“Ata do të ndërtojnë skuadër të fortë për sezonin e ardhshëm. Ata po fitojnë për momentin dhe kanë disa prej lojtarëve më të mirë në botën e futbollit”, potencoi Redknapp.
*******************************************************

Wenger falënderon tifozët

Bosi i Arsenalit, Arsene Wenger, ka falënderuar tifozët për mbështetjen dhënë ekipit këtë sezon, përkundër faktit se ka vazhduar tabuja e titujve.
“Unë besoj se tifozët kanë qenë fantastik dhe ata kanë mbështetur ekipin. Ne u dëshirojmë atyre çdo të mirë për pushime, falënderojmë ata për mbështetjen e ofruar dhe shpresoj se do t’i shohim prapa ekipit së shpejti”.
“Unë ndjej se ne mund të jemi krenarë për këtë ekip dhe për këtë klub edhe pse nuk fituam asgjë. Të gjithë ata që ndjekin klubin, besoj, janë krenarë me të. Besoni në këtë ekip. Unë besoj se kemi punuar mirë, kemi një ekip shumë të ri dhe shfaqëm paraqitje impresive ndaj Manchester Unitedit. Besoni në këtë ekip”, tha Wenger
*******************************************************

Ancelotti: Torres dhe Luiz erdhën vonë

Carlo Ancelotti beson se Chelsea do të ishte në pozitë shumë më të mirë në Ligën Premier, po që se Fernando Torres dhe David Luiz do të ishin transferuar verën e kaluar.
“Shpeshherë nuk është e lehtë të bleni një lojtar në kohën e duhur, pasi duhet të prisni. Ishte synimi ynë ta blejmë David Luizin dhe Torresin verën e kaluar, e jo në janar, por nuk ka qenë e mundur”.
“Ne nuk kemi qenë në gjendje sepse Liverpooli dhe Benfica kanë dashur ta fillojnë sezonin me këta lojtarë”, theksoi Ancelotti.
*******************************************************

Ferguson garanton qëndrimin

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson ka garantuar qëndrimin e tij në Old Trafford, përderisa foli edhe për dobësitë e ekipit të tij pas fitimit të titullit të 19-të në histori të klubit.
“Mendoj se do të fokusohem më shumë në formën tonë si mysafir. Mendoj se pa dyshim ky është fakti që na bën të jemi më të zhgënjyer, pasi kemi nëntë barazime si mysafir, por forma jonë në shtëpi ka qenë absolutisht fantastike”.
“Kryesore për mua ka qenë forma në shtëpi, ishte e shkëlqyer. E ardhmja ime? Sigurisht se do të qëndroj”, ka thënë Ferguson.
**********************************************************

Karanka: Të gjithë e kanë parë Busquetsin

Trajneri i Real Madridit, Aitor Karanka ka mbështetur klubin për raportimin e bërë ndaj Sergio Busquetsit, duke thënë se të gjithë kanë parë se çfarë bëri mesfushori i Barcelonës në ndeshjet ndaj Realit.
“Pikëpamja imei është e njëjtë me atë të klubit. Në asnjë moment Real Madridi nuk e ka fyer ndonjë lojtar. Ekziston një video e cila e shfaq sjelljen jo sportive të Barcelonës dhe tani UEFA e ka hapur rastin ndaj tij. Të gjithë kanë parë çfarë bëri ai”.
“Unë e kam thënë se çfarë ndodh në fushë duhet të qëndrojë aty. Sidoqoftë, nëse ekziston diçka raciste, atëherë nuk mund të bëj asgjë”, potencoi Karanka.
**************************************************************

Bayern arrin marrëveshje për Neuer

Presidenti i Bayernit, Uli Hoeness i ka thënë televizionit gjerman Sky se bavarezët kanë arritur të sigurojnë shërbimet e portierit fantastik gjerman, Manuel Neuer.
“Menaxhmenti jonë ka qenë në gjendje që të arrijë një marrëveshje me Schalken. Tani shtrohet pyetja nëse ata dëshiron ta finalizojnë marrëveshjen”, theksoi Hoeness.
Ai shtoi se zyrtarizimi do t’i mbetet Schalkes, qoftë para apo pas ndeshjes së fundit të sezonit në kuadër të finales së DFB Pokal që zhvillohet të shtunën e ardhshme në stadiumin olimpik të Berlinit.
*********************************************************

Dalglish: Nuk transferojmë lojtarë të shtrenjtë

Kenny Dalglish ka lëvduar drejtuesit e klubit për përkrahjen e tyre në tregun e transferimeve, por ka këmbëngulur se klubi nuk do të transferojë lojtarë që janë tejet të shtrenjtë.
“Unë nuk dua të qëndroj këtu duke folur për shumat të cilat do t’i shpenzojmë, ose nëse do ta transferojmë atë apo këtë lojtar. Unë dua t’u jap lojtarëve që janë këtu respektin më të madh të mundshëm për impenjimin e tyre këtë sezon”.
“Dua të falënderoj edhe pronarët për mbështetjen e tyre, por mund t’iu garantoj se lojtarët që janë shumë të shtrenjtë nuk do të transferohen”, u shpreh Dalglish.
**********************************************************

/JUVENEWS.TK/ /JUVENEWS.TK/ /JUVENEWS.TK/ /JUVENEWS.TK/