12 maj 2011

Mercato - Yjet e lira


Nga 30 qershori i këtij viti do të mbushet ‘pazari’, edhe pse një pjesë e ‘mallit’ është shitur. Futbollistët në skadim të kontratës do ta mbulojnë afatin kalimtar të verës, edhe pse priten edhe ‘bomba të tjera atomike’ nga klubet e mëdha evropiane.

Përpos lojtarëve mesatarë si Trochowski, që përfundoi në Sevilla, Jarmolenko i ndjekur nga Milan, Elmander, që pëlqehet nga Arsenal e Juventus, janë edhe shumë futbollistë të njohur në kontinentin e vjetër dhe mjaft interesantë, që u skadon kontrata gjatë verës dhe që mund t’u kryejnë punë të madhe ekipeve që i transferojnë ata.

Edhe pse për disa prej tyre flitet se kanë kryer punë, duke arritur marrëveshje me klube, asgjë definitive nuk ka. Më i përfoluri është mesfushori i Milanit, Andrea Pirlo.

Mediat italiane e shpijnë drejt Juventusit, por veterani italian ka oferta milionëshe edhe nga vendet arabe. As Rossoneri tjetër, Clarence Seedorf, nuk ka vendosur ende se cila do të jetë e ardhmja e tij, pasi kontrata aktuale i skadon në qershor.

Pastaj vjen sulmuesi i Bayern Munchen, Miroslav Klose. Sulmuesi gjerman nuk ka gjetur hapësira së fundmi te bavarezët dhe ai pritet të largohet gjatë verës. Për të interesim ka shfaqur ish skuadra, Kaiserslautern.

Milan po bën përpjekje të përfitojë nga skadimi i kontratave për t’i siguruar shërbimet e dy lojtarëve të lirë dhe mjaft kualitativë, Philippe Mexes, që do të ndahet nga Roma dhe Taye Taiwo, që i dha fund eksperiencës me Olympique Marseillen.

Përpos tyre, janë edhe disa futbollistë të tjerë interesantë, të cilët klubet e interesuara mund t’i marrin ‘gratis’ qysh tash, ngase rregullat e UEFA-s ua lejojnë atyre t’i fillojnë bisedimet me klube të tjera disa muaj para se t’u skadojë kontrata me klubet aktuale.

Futbollistët pa kontratë:
Owen Hargreaves (Manchester United)
Jose Bosingwa (Chelsea)
Philippe Mexes (Roma)
Taye Taiwo (Olympique Marseille)
Reto Ziegler (Sampdoria)
Andrea Pirlo (Milan)
Hamit Altintop (Bayern Munchen)
Clarence Seedorf (Milan)
Mahamadou Diarra (Real Madrid)
Miroslav Klose (Bayern Munchen)
/JUVENEWS.TK/