16 maj 2011

Kielini i zhgënjyer, Del Neri: S’e jap dorëheqjen


Pas humbjes në “Tardini”, mbrojtësi dhe trajneri bardhezi janë të shqetësuar për situatën

“Pse duhet të jap dorëheqjen?”. Pas humbjes ndaj Parmës, që pothuajse e ka përjashtuar Juven nga gara për Ligën e Europës, Xhixhi Del Neri nuk e mendon largimin përpara kohe nga puna e tij: “Ditë të tilla si kjo ndodhin, por unë bëj detyrën time në maksimum dhe nuk më duket momenti për të folur për dorëheqje,” tha ai.

“Kemi luajtur keq dhe jemi pothuajse jashtë Europës, por ka qenë një sezon i veçantë dhe do të kërkojmë ta mbyllim mirë. Kemi patur pak forca dhe pak energji,” vazhdon Del Neri, duke analizuar humbjen me Parmën. “Më vjen keq, sepse donim ta mbyllnim ndryshe kampionatin.

Të gjithë jemi të zhgënjyer, mendohej se do të bënim diçka më shumë. Por shpesh herë ndryshimet e mëdha të çojnë drejt vështirësive të mëdha.” Proçesi i riorganizimit, sipas Del Nerit, kërkon kohë: “Juventus ka bërë ato blerje që mund të bënte këtë sezon.

Duhej një ndryshim radikal, si në aspektin ekonomik edhe në lidhje me moshën. Klubi ka bërë atë të mundshmen, më pas është e qartë se Juve kërkon gjithmonë të fitojë, madje kërkon rezultate të mëdha. Tifozët e pretendojnë këtë gjë dhe zhgënjimi është pjesë e kësaj,” përfundon Del Neri.

Xhiorxhio Kielini nuk fshihet pas humbjes së djeshme në Parmë: “Jemi të zhgënjyer dhe kemi rritur edhe më tepër dozën e mërzitjes nga e hëna e kaluar,” ka pranuar Kielini, pas humbjes në transfertë ndaj Parmës. “Të ndezësh dritën në orë 3 të pasdites të së dielës, nuk mundesh.

Këtë vit kemi humbur shumë ndeshje, jo një. Nuk kemi qenë kurrë një skuadër. Më ikën mendja kur mendoj që jemi jashtë Europës Kemi patur një moment të mirë, por në fazën e parë, teksa sërish ndaj Parmës jemi ndalur dhe nuk kemi arritur ta rimarrim më veten.

Duhet të ketë ndryshime. Por tani nuk mund të flasim me gjakftohtësi. Liga e Europës? Nuk besoj se Roma do të humbasë në shtëpi. E ardhmja ime? Më mirë të hesht”.
/JUVENEWS.TK/