09 maj 2011

Juventusi jashtë Ligës së Kampionëve


Zonja e Vjetër nuk ka arritur të mbajë gjallë shpresat për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, pasi ka barazuar me rezultat 2-2 kundër Chievos.

Juve kaloi në epërsi në minutën e 13-të kur Alessandro Del Piero shënoi nga pika e bardhë dhe me rezultat 1-0 u mbyll gjysma e parë.

Dhjetë minuta brenda pjesës së dytë, kapiteni lëshoi një pasim të mrekullueshëm drejt Alessandro Matrit, i cili dyfishoi rezultatin.

Mirëpo, mysafirët arritën të shënojnë dy gola të shpejtë me anë të Fernando Uribe (68’) dhe Gennaro Sardo (69’) për të barazuar rezultatin.

Bardhezinjtë krijuan raste të shumta në minutat e fundit të takimit, mirëpo nuk patën fat të realizonin golin e fitores.

Pas këtij barazimi, Juve ka 57 pikë, pesë më pak se Udinese që mban vendin e katërt, ndërsa kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u zhvilluar. /JUVENEWS.TK/