13 maj 2011

Juventus, 200 milionë euro për t’u rikthyer në “BIG”


Klubi bardhezi synon të rikthehet në nivelet e skuadrave të mëdha europiane brenda katër vitesh
Tani populli bardhezi mund të fillojë të ëndërrojë me të vërtetë. Juventusi do të paraqitet në merkaton e ardhshme me xhepat plot. Të jetë e qartë, para nuk do të shpërdorohen, por potenciali për të kërkuar më të mirët që janë në treg është. Dhe kjo pavarësisht shtimit të kapitalit që do të vijë nga miratimi i këshillit administrativ që do të mblidhet më 23 qershor.

KREDI E PAKUSHTEZUAR - Ditën e mërkurë këshilli administrativ që ka miratuar rezultatet e marra deri më 31 mars (-43,4 milionë euro, dhe bilancin që më 30 qershor do të mbyllet me një humbje prej rreth 60 milionësh) dhe treguar linjat e planit industrial që do të ndiqet në katër vitet e ardhshme: në Itali Juventusi do të duhet të kthehet menjëherë kompetitiv në nivelet më të larta, për të plotësuar më pas diferencën me klubet e mëdha të Europës brenda tre-katër sezonesh.

Plani që Xhon Elkan, presdenti i “Exor” (kasaforta e familjes), e ka përcaktuar “ambicioz” do të mbulojë një hark kohor deri në sezonin 2014-15. Këshilli do të vlerësojë më pas hipotezën e një shtimi të kapitalit nëse do të jetë e nevojshme, sepse vetë Elkan ka bërë të ditur se është i gatshëm të mbështesë plotësisht punën e kushëririt Andrea Anjeli dhe Bepe Marotës.

Flitet për një kapital prej 100-200 milionë eurosh, edhe duke marrë parasysh se merkato e klubit bardhezi mund të fillojë menjëherë, edhe falë shitjeve të mundshme, rezervave që ka (71 milionë euro) dhe 210 milionëve të marra nga kreditë bankare, prej të cilave 30 milionë janë vënë në përdorim.

Për sa i takon stadiumit të ri parashikohet që në vitin e parë të ardhurat nga stadiumi të mund të rriten deri në 20 milionë, 15 më shumë në krahasim me sot. Drejtuesit e skuadrës do të kenë detyrën për të shpenzuar në mënyrën e duhur këto para, me qëllim që brenda pak kohe të krijohet një makineri që mund të lëvizë në mënyrë autonome.

IKËN BLANK, VJEN MACIA - Ndërkohë, Xhon Elkan ka dhënë dorëheqjen si administrator i deleguar dhe si drejtor i përgjithshëm. Blankut, që do të vazhdojë të jetë pjesë e këshillit, i është dhënë një detyrë e veçantë për stadiumin e ri deri nmë 30 shtator. Ndërkohë, këshilli i klubit bardhezi ka emëruar si administrator këshilltarin Aldo Macia, menaxher i besuar i Xhon Elkan.

“Përurimi i stadiumit të ri është një etapë thelbësore për të ardhmen e Juves, - ka thënë Blank. - Unë kam dhënë dorëheqjen si administrator i deleguar për të përshpejtuar emërimin e Macias. Ishte një lëvizje që pritej të bëhej në fundin e sezonit, një vendim që është marrë nga klubi dhe presidenti. Gjithsesi do të kem detyrën të merrem me stadiumin e ri deri në shtator”.

Dhe më pas: “Ndoshta do të ketë stadiume të rinj për t’u ndërtuar…”. Ka ardhur edhe falënderimi i Andrea Anjelit: “Projekti i stadiumit të ri është i pari në Itali, - ka thënë presdenti i Juvenusit. - Do të na lejojë të arrijmë në të njëjtin nivel me skuadrat e mëdha të Europës dhe do të na garantojë të ardhura të mëdha. Blank ka merita të mëdha për punën që ka bërë”.

PIRLO - Para të freskëta që do të investohen shumë shpejt. Për sa i takon lojtarëve të rëndësishëm, është bërë gati një kontratë trevjeçare prej 4 milionë eurosh në sezon, plus bonuse, për Pirlon, që është gati të vishet bardhezi nëse Milani nuk do të bëjë një ofertë më të mirë. Montolivo është alternativa.

Shumë shpejt pritet të fillojë edhe sulmi ndaj Fernandos të Portos. Më pas, blerja e madhe: në sulm. Plani A: blerja e njërit midis Agueros, Tevez dhe Benzema. Plani B: udhëtim në Palermo, shumë para dhe dy lojtarë midis Amaurit, Xhiovinkos dhe Paladinos për Havier Pastoren dhe Mauricio Pinilën.
/JUVENEWS.TK/