05 maj 2011

Gara për Europën mban gjallë Serinë A


Lacio rrezikon ta humbë kualifikimin për në Ligën e Kampioneve në kthesën e fundit të sezonit. Humbja me Juventusin ka ndezur zemërimin e presidentit lacial, Klaudio Lotito, por mbi të gjitha ka ndezur konkurrencën për vendin e katërt. Champions-i ka grupuar 4 skuadra, të gjitha në rangun e 4 pikëve, që kryesohen nga Lacio me 60 pikë dhe mbyllen nga Juventusi me 56 pikë. Në mes janë Udineze dhe Roma që ndjekin me 59. Teksa kanë mbetur vetëm tri ndeshje nga fundi dhe 9 pikë në dispozicion, lufta për të përfituar 25 milionë eurot që ofron Liga e Kampioneve është bërë mjaft e zjarrtë. Edhe pse është e katërta dhe favoritja për kualifikimin në Champions, Lacio ka kalendarin kundër, që do t’ia vështirësojë shumë punën.

Në ndeshjen e ardhshme, skuadra e Rejës do të udhëtojë në Udine, për duelin e vetëm të drejtpërdrejtë që ofron kalendari deri në fund të sezonit. Për këtë arsye, në varësi të rezultatit të sfidës së “Friulit”, një kandidate për Champions-in rrezikon të eliminohet automatikisht nga lufta për vendin e katërt. Por Lacio nuk do ta ketë të lehtë edhe në dy sfidat e fundit. Ndonëse ajo e parafundit me Xhenoan nuk përbën ndonjë rrezik, e fundit në Leçe po. Puljezët luftojnë për mbijetesën, për rrjedhojë nëse Leçe mbetet në lojë deri në 90 minutat e fundit, atëherë kjo sfidë shndërrohet në një finale për të dyja skuadrat. Roma pritet ta ketë edhe më të vështirë se Lacio. Të shtunën në “Olimpiko” vjen Milani, i cili kërkon 1 pikë për t’u shpallur kampion, por mbi të gjitha do të kërkojë të hakmerret për humbjen e pësuar në “San Siro” në fazën e parë.

Në sfidën e radhës kundër Sampdorias do të jetë edhe më e vështirë. Dorianët rrezikojnë rënien në Serinë B, ndaj gjithçka mund të ndodhë në këtë takim, ku Sampi luan gjithë sezonin. E vetmja sfidë e lehtë për Romën parashikohet ajo në Sicili kundër Katanias, me kuqeblutë, praktikisht të shpëtuar nga rënia një kategori më poshtë. Praktikisht është ajo që ka kalendarin më të lehtë, por në të njëjtën kohë 9 pikët që mund të grumbullojë nuk i mjaftojnë për të siguruar vendin e katërt. Juventusi do të presë Kievon në Torino, më pas udhëton në Parma, me emiljanët e shpëtuar, dhe në fund pret Napolin, që me sigurimin e Ligës së Kampioneve nuk do të ketë më asnjë objektiv për të arritur. Në letër bardhezinjtë mendohet t’i mbyllin me 9 pikë tri ndeshjet në vazhdim, por në të njëjtën kohë u duhet ndihma e Milanit dhe Udinezes.

Lotito në gjykatë, pas akuzave ndaj Juves

Kur dukej se skuadrat italiane që do të merrnin pjesë në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm ishin blinduar, mjafton një fitore e Juventusit në Romë kundër Lacios për të rihapur një debat dhe një kualifikim që vlen miliona euro. “Kundër Juves na u mohua një penallti e pastër, e cila mund të kishte vulosur kualifikimin tonë në Champions. Por arbitrat kanë filluar që kundër nesh të mos shohin ndërhyrje të tilla dhe për më tepër ndihmojnë kundërshtaret tona direkte”. Dhe ka mjaftuar kjo deklaratë që Federata Italiane e Futbollit, me anë të dikasterit të saj të drejtësisë të drejtuar nga prokurori Stefano Palaci, të thërrasë e të paralajmërojë Lotiton për një skualifikim.

Pezullimet, De Rosi e Perrota, fund sezonit

Ndeshja e fituar me Barin, e cila ka rikthyer Romën bindshëm në luftë për vendin e katërt, u ka kushtuar shtrenjtë verdhekuqve. Daniele De Rosi dhe Simone Perrota kanë mbyllur sezonin e tyre, pas dy ndërhyrjeve të qëllimshme në dëm të lojtarëve të Barit. Zëvendëskapiteni i Romës, Daniele De Rosi, ka goditur me bërryl një rival puljez në minutën e tretë të pjesës së dytë dhe kjo do t’i kushtojë tri ndeshje pezullim, po kaq takime sa kanë mbetur deri në fund të sezonit të Serisë A. I njëjti fat edhe për Simone Perrotën, i cili në minutën e 91-të ka goditur me grusht prapa shpine një kundërshtar në fushë, ndaj edhe mesfushori 31-vjeçar ka mbyllur përpara kohe këtë kampionat.
/JUVENEWS.TK/