11 maj 2011

Del Piero: Barazimi, foto e sezonit tonë


Kapiteni bardhezi pranon situatën e vështirë pas ndeshjes me Kievon: Del Neri? Klubi i bën vetë zgjedhjet

Mos e kërkoni tek sulmi problemin e Juventusit, sepse dyshja “Alesandro” funksionon në rregull. Goli i 284-t me Juven për Del Pieron, i 11-ti në kampionat dhe i 314-ti në karrierë. Goli i 19-të dhe i 8-ti tek bardhezinjtë (në 14 ndeshje) për Matrin, pas vertikalizimit asist të Del Pieros, një veprim gjenial.

Megjithatë Championsi largohet. Të mendosh për këto 2 pikë të humbura, duke shtuar edhe ato 2 të lëna ndaj Katanias, të bën të ndihesh keq. Por ka edhe diçka: 23 pikë të humbura ndaj 8 ekipeve të fundit të klasifikimit.

“Nëse arrijmë të na barazojnë kaq shpesh,” mundohet të analizojë Del Piero, “është sepse ndodhemi në një moment negativ, që nuk na lë të qetë, madje edhe këtë herë nuk ia kemi dalë ta superojmë. Kjo ndeshje është një fotografi e sezonit tonë. Shpresoj që të kemi ezauruar gjatë këtij sezoni të gjithë fatin e keq.”

Alesandro del Piero ka nënshkruar edhe për një tjetër vit. Do të luajë me të njëjtën fanellë, në stadiumin e tretë të ndryshëm.
Aleks nuk kërkon të zhbilancohet. Shumë inteligjent për këtë zgjedhje. “Do të marrin vendimet e tyre, nuk mund të ndërhyj në këtë aspekt. Nuk e di nëse po bëjmë maksimumin, sepse kjo varet nga rezultatet.

Por mund të them se skuadra ka një raport të mirë me trajnerin.” Akuilani është i qetë: “Mungesa e personalitetit është boshllëku ynë më i madh.” I vjen keq edhe Bepe Marotës, i cili ndoshta që dje, mund të shkonte në Angli për të diskutuar blerjen përfundimtare të Akuilanit (e drejta për këtë veprim skadon në 15 maj).

“E përjetoj i qetë këtë afat skadence, siç e kam bërë gjatë gjithë sezonit,” ka shpjeguar mesfushori. “Mund të ndodhë gjithçka, por në fund skuadra, që zotëron kartonin tim, është sërish një ekip i madh.”

Akuilani dëshiron Juven dhe në bazë të kësaj dëshire, Marota do t’i ofrojë Liverpulit 10-12 milionë euro. Nëse “të kuqtë” do të pranojnë, gjithçka mbyllet, përndryshe tratativa rinis nga zero, pas 15 milionë eurove.

Teksa pritet të njihet oferta e Milanit ndaj Pirlos, alternativa e parë në mesfushë është Montolivo. Por klubi bardhezi mund të spostohet edhe në Spanjë. Pas blerjes së Shahin nga Borusia e Dortmundit, Reali i Madridit ka vënë në shitje Ksabi Alonson, i cili ishte shumë pranë Juves në 2008-n, dhe Lasana Diarra.

Personaliteti me siguri që nuk i mungon këtyre të dyve. Drejtuesit e Juves mund t’i ofrojnë në shkëmbim Sisokon ose Felipe Melon, të cilët i pëlqejnë Mourinjos.
/JUVENEWS.TK/