04 maj 2011

Del Neri përgatit lamtumirën nga Juventusi


Fitorja ndaj Lacios nuk e mban me shpresë trajnerin për të ardhmen: Në fund të sezonit, rrugët tona mund të ndahen

Fitorja kundër Lacios vetëm sa ka konfirmuar një koncept që prej kohësh qëndron i qartë. Juventus do të vazhdojë të qëndrojë i bashkuar me Del Nerin deri në fund të sezonit e më pas do shihet. Këtë ka pranuar dhe vetë tekniku duke thënë:

“Ka shumë mundësi që rrugët të ndahen”. Fitorja kundër Lacios duket se e ka ushqyer me oksigjen Del Nerin, pavarësisht se ky i fundit e ka kuptuar se aventurës së tij në Torino po i vjen fundi. Fjalët e tij në dhomat e zhveshjes ishin evidente në shumë aspekte:

“Rreth të ardhmes sime s’kam asgjë për të thënë, me shumë mundësi në fund të sezonit rrugët tona do ndahen, gjithsesi të shohim,” ka pranuar tekniku. “Tani për tani mendoj vetëm për fitoren, e cila na ka afruar në një pozicion të rëndësishëm. Janë shumë skuadra që luftojnë për këtë vend.”

Me shumë mundësi klubi do ta ndërrojë trajnerin. E ardhmja e pankinës bardhezi nuk do të jetë Del Neri, por me shumë mundësi do të thirret Maxarri, që dalëngadalë po i përqaset edhe më shumë “Zonjës së Vjetër”. Tashmë as kualifikimi në Champions nuk mund ta rikthejë dot pasionin mes Juves dhe Del Nerit.

Tekniku është gati të bëjë valixhet për t’iu rikthyer ish-skuadrës së tij, Atalantës. Në pankinën bardhezi ka dëshirë të ulet Maxarri. Tekniku i Napolit po bën gjithçka për të fituar besimin e Marotës çka i ka shkaktuar përplasjet me presidentin aktual të tij, De Laurentis.

Gjithçka duket në avantazh të klubit torinez, të cilët projektin e ri kanë dëshirë ta rifillojën me teknikun livornez në krye. Spekulimet e orëve të fundit për një largim të tij tek Roma nuk janë shqetësuese. Maxarri i veshur verdhekuq? As si hipotezë nuk do të pranohej.

Ndërsa Del Neri po përgatit lamtumirën e tij, Maxarri po përgatitet për ankorimin në Torino. Teknikun e Napolit e pret një detyrë e vështirë. Vetëm para një muaji ai dhe De Laurentis betoheshin për një dashuri të përjetshme, ndërsa tashmë kanë ndodhur krisjet e para.

Diskutimet e fundit të teknikut që sheh një të ardhme të mundshme tek bardhezinjtë nuk i kanë pëlqyer aspak presidentit napolitan. E të mendosh që mes tyre ka pasur edhe sugjerime rreth merkatos për Championsin e ardhshëm.

Por faktikisht tashmë De Laurentis nuk e sheh më të domosdoshëm Maxarrin dhe ka filluar të marrë në konsideratë për të ardhmen emrat e Rosit dhe Gasperinit. Në këtë mënyrë Juvja e ka rrugën e lirë për të marrë Maxarrin, të cilin klubi e konsideron si njeriun e duhur edhe pse tifozët do dëshironin Antonio Konten apo Villas Boas, si alternativa për stolin bardhezi.
/JUVENEWS.TK/