02 maj 2011

Del Neri: Nuk jam mik me lojtarët


“Kemi detyrën për të mos lënë asnjë gur pa lëvizur.” Në vigjilje të transfertës në “Olimpiko” kundër Lacios (sonte në orën 20:45), shumë e rëndësishme në synimin për në Europë, Del Neri karikon Juventusin: “Nuk ka qenë një javë e ndryshme nga të tjerat, përkundrazi shoh dëshirë për të fituar 4 sfidat e fundit.

Anjeli? Na ka stimuluar për të bërë maksimumin deri në fund të sezonit”. Në lidhje me vlerësimet e bëra nga Bufon dhe Del Piero: “Më bëhet qejfi, por nuk jam mik i lojtarëve. Kam detyrën për të bërë punën time me ndërgjegje, duke dhënë maksimumin, - ka vazhduar Del Neri. - Lexova këto ditë në një gazetë, se një trajner duhet të shkojë për drekë me lojtarët për të qenë miku i tyre.

Por unë nuk e besoj këtë. Mendoj se një trajner duhet të kontrollojë lojtarët e tij, në varësi të rolit që kanë. Një respekt, i cili duhet të jetë reciprok dhe që këtë sezon ka qenë gjithmonë.” Një nga keqardhjet e këtij sezoni është se janë lënë 21 pikë gjatë kampionatit me skuadra të vendeve të fundit.

“Ato pikë të humbura kushtëzuan ecurinë tonë, - ka thënë sërish trajneri bardhezi. - Gjithashtu jemi përballur me ekipe të motivuara, shpesh herë duke patur probleme me organikën. Disa herë, pavarësisht mungesave, kemi fituar, si për shembull kundër Milanit në “San Siro”.

Ndërsa herë të tjera kemi patur vështirësi kundër skuadrave, që konsiderohen të kalueshme. Në Romë duhet të luajmë siç bëmë ndaj Katanias, deri në momentin, që po fitonim. Kur luajtëm në Çezenë, dukeshim si të dalë nga lufta për Ligën e Kampioneve, por në fakt nuk ishte aspak e vërtetë.

Kështu që duhet të lëvizim çdo gur, që kemi në dispozicion.” Në “Olimpiko” do të mungojë Markizio: “Nuk e ka kaluar ende goditjen e pësuar kundër Katanias. Për fat të keq, na është dashur shpesh herë të heqim dorë nga lojtarë të “goditur” nga traumat. Felipe Melo do të jetë, pavarësisht se është ndalur për para një jave. Në sulm do të luajnë Matri dhe Del Piero, ndërsa në qendër të mbrojtjes nuk e kam vendosur ende.”
/JUVENEWS.TK/