04 maj 2011

Del Neri: Kemi motivim për Ligën e Kampionëve


Skuadra e Juventusit shënoi fitore të hënën në mbrëmje kundër Lacios në Romë, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 35-të në Serie A, duke iu afruar kësisoj pozitës së katërt, e cila çon në Ligën e Kampionëve. Golin e vetëm të kësaj sfide e shënoi Simone Pepe, duke siguruar një fitore mjaft të rëndësishme për bardhezinjtë. Tani, gjithçka është e hapur sa i përket vendit të katërt në renditje. Kur kanë mbetur edhe tri javë për t’u luajtur deri në fund të kampionatit Udinese dhe Roma gjenden një pikë larg Lacios që zë pozitën që dërgon në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, derisa Juventusi mund të shpresojë për gabimet e rivalëve, pasi gjendet 4 pikë prapa.

“Ishte një ndeshje e luajtur me zemër. Tani kemi forcë dhe motivim për të arritur në Ligën e Kampionëve. Në futboll mund të ndodhë gjithçka. Juve nuk vodhi asgjë, krijoi raste goli dhe e meritoi suksesin”, ka theksuar trajneri i Juventusit, Luixhi Del Neri, skuadra e të cilit shënoi golin e fitores vetëm pasi Lacio mbeti me 10 lojtarë në fushë. “Skuadra ime prodhoi gjëra të rëndësishme dhe jam i lumtur për këtë. E rëndësishme është që tani skuadra të jetë sa më e qetë. Mund të luajë ende shanset e veta dhe nëse kemi vazhdimësi mund të shikohet një Juve që do të luftojë për këtë ëndërr evropiane. Çdo gjë është e mundshme”.

Ndërkaq sa i përket spekulimeve të medieve për largimin e tij nga posti i trajnerit pas përfundimit të këtij edicioni, Del Neri është shprehur: “Në katër muajt e fundit njerëzit vazhdimisht më kanë pyetur për të ardhmen time. Këto pyetje që m’i parashtroni është dashur t’ia adresoni dikujt tjetër, prandaj nuk di përse duhet t’iu përgjigjem unë. Ndoshta ndodh që unë dhe Juventusi të ecim në rrugë të ndryshme, por gjithçka do të dihet në fund të edicionit”. Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe tri javë, kurse si pasardhës të Del Nerit në mediat italiane përmenden Konte, Maxari dhe Lipi.
/JUVENEWS.TK/