10 maj 2011

Arsen Venger do të ulet në bankinën e Juventusit?


Trajneri i Arsenalit mund të fillojë një projekt serioz dhe ambicioz që do të bazohet në vlerësimin e talenteve të skuadrave zinxhir. Ndërkohë, në frontin e përforcimeve mendohet për francezët Samir Nasir dhe Frei. Luixhi Del Neri shprehet i bindur për të qendruar me 100% në bankinën e Juventusit, por në zyrat e rrugës "Galileo Ferraris" qarkullon një emër shumë interesant për sezonin e ardhshëm.

Bëhet fjalë për menaxherin e madh francez Arsen Venger, trajner që nga viti 1996 tek Arsenali ku është duke kryer një punë shumë të mirë nën drejtimin e tij, mbi të gjitha në rritjen dhe vlerësimin e talenteve të rinj. Eksperti i madh i futbollit, siç është kujtuar disa herë nga Tutosport, është afruar shumë herë pranë Zonjës së Vjetër, por më pas nuk është bërë më asgjë. Tashmë, drejtuesit më të lartë të shoqërisë bardhezi mund të kthehen në sulm, duke dashur t'i prezantojnë një projekt serioz që synon tek të rinjtë e akademisë, tek stadiumi i ri dhe tek dëshira për të arritur shumë shpejt në nivelet më larta.

Do të jetë shumë e vështirë të merret nga Londra, një qytet ku ai ndihet shumë mirë, por, pas plot 15 vitesh në drejtimin e Topçinjve mbase mund t'i kthehet dëshira për të tentuar një eksperiencë të re profesionale në një tjetër vend europian. Në frontin e lojtarëve kërkohet të përfitohet sa më shumë para të jetë e mundur nga shitjet e disa prej atyre që shikohen si 'të panevojshëm'. Objektivi minimal është të arrihen të sigurohen të paktën 20 milionë euro, duke filluar nga lamtumirat e Iakintës dhe Amaurit. Edhe Felipe Melo rrezikon të përshëndesë njëherë e mirë skuadrën torineze, ashtu siç është shumë e fortë përshtypja se, njëri ndërmjet Bufon dhe Storarit mund të largohet.

Kielini do të largohet vetëm në rast të një oferte të çmendur, ndërkohë që çështja Akuilani është disi më e komplikuar. Drejtori i përgjithshëm bardhezi, Bepe Marrota, nuk ka aspak ndërmend të nxjerrë nga arkat e klubit 16 milionë euro që janë parashikuar verën e shkuar në klauzolën e transferimit të arritur me Liverpulin, por në të njëjtën kohë është duke studiuar të gjithë zgjidhjet e mundshme për të mos humbur regjisorin roman, që është kthyer në formën e tij më të mirë tek Juventusi, pas disa sezoneve plot probleme fizike.
/JUVENEWS.TK/