02 maj 2011

Anjeli karikon Juven, Del Neri shpreson akoma


Presidenti bardhezi ka qenë në Vinovo dje në mëngjes për të folur me skuadrën dhe trajnerin

Krenar dhe optimist, Juventusi po i afrohet ndeshjes që do të luajë nesër në mbrëmje ndaj Lacios. Gjithsesi, motivimi nuk do të mungojë. Lojtarët duan ta mbyllin këtë sezon me dinjtiet dhe të shpëtojnë trajnerin. Më pas, në fund, nuk i dihet: futbolli nuk është një shkencë ekzakte.

Me shpresat për një vend në Champions tashmë (pothuajse) të shuara, mbetet gjithmonë për t’u siguruar një vend në Ligën e Europës, që nuk garantohet nga vendi i shtatë aktual në renditje. Motivimet janë theksuar edhe dje në mëngjes në Vinovo nga presidenti Andrea Anjeli që, para se të drekonte me skuadrën, foli me Nedvedin dhe Paratiçin, por dhe me Del Pieron, Kualjarelën dhe mbi të gjithë me Del Nerin.

“Objektivat tona janë gjithnjë, që të shkojmë dhe më larg, - ka thënë Matri. - Barazimi me Katanian nuk na ka ndihmuar aspak. Gjithsesi, duhet t’i japim një kuptim kampionatit tonë, duke kërkuar të fitojmë ndeshjet e mbetura. Ajo kundër Lacios do të jetë një sfidë shumë e vështirë, sepse ata po luftojnë për një objektiv shumë të rëndësishëm si Liga e Kampioneve”.

Deklaratat në favor të tij nga lojtarët (mbi të gjithë ato të veteranëve Del Piero dhe Bufon), fjalët e fundit të Elkan (”nëse vihet gjithçka në diskutim pas çdo ndeshjeje është e vështirë të ndërtohet e ardhmja”) dhe refuzimet e Spaletit (”Do të qëndroj në Shën Petërburg”), Mançinit (”Nuk shikoj pse duhet të largohem nga Siti pikërisht tani që gjërat po shkojnë mirë”) dhe Vilas Boas (”Nuk jam njeriu i duhur për Juventusin, ose për ndonjë klub tjetër të Serisë A: kam ide shumë revolucionare”), i kanë dhuruar disa shanse më shumë Del Nerit për të ruajtur vendin e punës.

Për teknikun ka akoma një derë të vogël hapur, për më tepër nëse në këtë fundsezon do të marrë 3-4 fitore. Nëse disa alternativa janë tërhequr, kanë fituar pozicione kandidaturat e Maxarrit, Kontes dhe Deshampit, që në këtë moment janë trajnerët që mund të zëvendësojnë Del Nerin në sezonin e ardhshëm.

Për sa i takon formacionit anti-Lacio trajneri bardhezi ka dy dyshime dhe mund të ketë ndonjë mungesë. Markizio edhe dje ka punuar i veçuar, për shkak të një goditjeje të marrë kundër Katanias. Favorit për krahun e majtë të mesfushës është Pepe. Nuk duket shqetësuese gjendja e Felipe Melos që dje ka punuar në palestër. Del Neri, ndërkohë, i ka të gjithë mbrojtësit në dispozicion: Grigera është në garë me Motën për krahun e djathtë, ndërsa Barzalji dhe Bonuçi janë në balotazh për një vend në krah të Kielinit. Në fund tekniku mund të zgjedhë ish-kampionin e botës, i cili vjen nga dy paraqitje të mira.

Asnjë surprizë në sulm, ku do të konfirmohet dyshja Del Piero-Matri, me këtë të fundit në formë shumë të mirë gjatë javës. Toni është gati të marrë vendin e kapitenit në pjesën e dytë.
/JUVENEWS.TK/