13 shkurt 2011

Juventusi me një mbrojtje volej, një mur për të ndalur Eto'o & Co.

Prapaskenat e përgatitjes për derbin e Italisë në shtypin e bardhezinjve

Gjithsej 15 gola të pësuar në 9 ndeshjet e para të 2011-s, një portë që në shtëpi nuk arrin të mbahet e paprekur prej 4 muajsh (4-0 ndaj Leçes më 17 tetor) dhe frika se do të duhet të përballet me sulmin më të mirë të Serisë A (44 gola në 23 ndeshje) kanë bindur Xhixhi Delnerin të konfirmojë “mbrojtjen e gjigantëve”. Sot në “Olimpiko”, për ndalur Interin e treshes Shnajder-Eto'o-Pacini, Juve zbret para Bufonit katër mbrojtës në linjë, të cilët kanë një mesatare prej 189 centimetrash gjatësi. Një mur, testuar tashmë me efikasitet kundër Kaljarit, i cili parashikon Sorensen (193 cm) në të djathtë, Barxalji (186 cm) e Bonuçi (190 cm) në qendër e Kielini (187 cm) i postuar majtas. Dhe ku i dihet, ndonjë nga katër kavalierët, që duhet të mbrojnë “Zonjën”, të premten në mëngjes ka kërkuar këshilla nga ekipi i basketbollit Motepaki Siena, që po viziton Vinovon. Objektivi kryesor i bardhezinjve është ai i ruajtjes së krahëve, deri tani një nga problemet e mëdha të repartit difensiv të Delnerit, dhe të ndërtojë një kafaz rreth Eto’o. Të premten skuadra ka punuar me ndryshimet larg syve të kureshtarëve, por idetë janë të qarta për të transformuar në realitet dëshirën e Luka Tonit: “Do ishte bukur të mos pësojmë gol, sepse përpara një do ta bëjmë”. Në mbrojtje Juve në fakt do të luajë shanset më të mëdha për fitore ndaj zikaltërve. Për Kielinin do të jetë ndeshja 200-të me bardhezinjtë: “Aktivizimi në krah, shpjegon ai, është një nevojë e skuadrës”. “Ajo me Interin, do të jetë një ndeshje e madhe, parashikon Andrea Barxalji, sepse ata duan të qëndrojnë në luftën për titull, ne duam t’i japim vazhdimësi fitores ndaj Kaljarit”. Barxalji, i marrë në formë huazimi për 300 mijë euro nga Volfsburgu, ka shpërblyer besimin e trajnerit në krah të ish-interistit Bonuçi. “Këtu i kushtohet më shumë vëmendje kujdesit taktik, komenton futbollisti. Në Gjermani shpesh mbrojtësi është i detyruar të përballet një kundër një, ndërsa te ne e ke gjithmonë edhe ndihmën e shokëve”. Në të vërtetë, arma që mund të bëjë diferencën kundër Interit, duke parë që nga krahët nuk do të jetë shtytja klasike: çifti i lojtarëve të krahut Mota-Grygera në të djathtë dhe Groso-Traore kanë zhgënjyer dhe kështu Delneri preferon më mirë që të blindojë repartin me katër mbrojtës të qendrës për nga roli, sesa të sulmojë dhe më pas të mbetet i zbuluar para kundërshtarëve. Një rol fondamental filtrues në 4-4-2 shumë difensiviste do të duhet ta luajë edhe mesfusha. Juve shpreson se do të mund të rikuperojë Markizion në të majtë. Të premten bardheziu ka zhvilluar një stërvitje të diferencuar bashkë me Sisokon, por është drejt përmirësimit dhe beson se do të jetë në një stadium të mbushur plot e përplot. Një shtytje më shumë mund të vijë nga rinovimi i kontratës: të premten është parë në klub babai i Markizioz, i cili tani bën menaxherin, për një takim me Marotën. Pas Del Pieros, e ka radhën “kapiteni i ardhshëm” të firmosë me Juven.

Leo: Me Juven luftë, nisemi në avantazh

Përpara “derbit të Italisë”, tek Interi ka pasur nga ata (si Shnajder) që parashikonte se fitorja me Juventusin dhe më pas me Fiorentinën do të thoshte titull për zikaltërit. Por Leonardo frenon entuziazmin e tepruar: “Dy fitoret? Do të ishin sinjale të rëndësishme, por nuk mendoj se do të mjaftonin për të dhënë përgjigje përfundimtare për kampionatin. Prej 6 janarit kemi hyrë në fushë vetëm për të fituar dhe nesër (sot) nuk do ta ndryshojmë këtë mentalitet”. Në supersfidën përballë bardhezinjve, ekziston mundësia – që ndoshta për të parën herë në këtë sezon - Interi të hedhë në fushë të njëjtin formacion me atë që mposhti Romën. Drejtuesi i stolit zikaltër nuk është veçanërisht i shqetësuar nga golat e Matrit apo paraqitjet e Krasiç: “Kjo sfidë nuk do të vendoset nga një lojtar apo një rol i veçantë. Juve-Inter do të jetë me siguri një ndeshje e ndezur, ku duhet të luftojmë dhe ky fakt na duket një avantazh”.

Del Neri: Fitore për t’u kthyer konkurrues

“Duhet të fitojmë me Interin që të kthehemi si konkurrues në kampionat”. Luixhi Delneri e ka të qartë se Juventusit i lejohet vetëm një rezultat në sfidën me zikaltërit. “Ata janë skuadra më e fortë në botë dhe janë të motivuar. Interi nuk është e detyruar të fitojë, por do të bëjë gjithçka që të marrë tri pikët”, theksoi trajneri. Edhe pse vlerëson momentin e mirë të kundërshtarëve, tekniku bardhezi shfaqet i qetë: “Cilin lojtar do t’u hiqja? Janë të gjithë në formë, Shnajder, Eto’o, Pacini, Zhulio Sezar që është kthyer në nivele të larta dhe Zaneti, për të cilin duket sikur koha nuk kalon. Megjithatë, në këto momente Juventusi ecën mirë dhe kemi në dispozicion një kontingjent më të plotë dhe të ekuilibruar”. Në “derbin e Italisë”, Juve paraqitet pa emergjencën e dëmtimeve që e ka shoqëruar “Zonjën e Vjetër” në muajt e fundit. Delneri premton: “Është një ndeshje e rëndësishme, do të luajmë me maksimumin e forcave”.