Tashmë që kampionatit anglez ka kaluar, le të hedhim një sy dhe të shohim gjendjen e tij. Çelsi kryeson dhe ka treguar siguri, Totenhemi e Birmingami janë surprizat deri tani, kurse Liverpuli ka zhgënjyer.
3 më të mirat – Çelsi, Totenhem e Birmingam
Çelsi e mbylli vitin 2009 në krye të tabelës, pavarësisht njëfarë pasigurie që tregoi gjatë nëntorit dhe dhjetorit. Ançeloti nuk ka bërë shumë përsa i përket organikës së skuadrës, por ka ditur të ”bashkojë” mjaft mirë Drogbanë dhe Anelkan. Ky i fundit tashmë duhet të bëjë që mungesa e afrikanit (gjatë Kupës së Afrikës) të mos ndihet.
Totenhemi ka mundësinë më të mirë për të lënë jashtë Ligës së Kampionëve një nga katër të mëdhenjtë. Dhe djemtë e Herri Rednap besojnë se mund t’ia dalin. Ata patën një fillimsezoni të jashtëzakonshëm, madje në fund të nëntorit arritën të dhurojnë edhe një rezultat tenistik: 9-1 përballë Uiganit. Paraqitja mjaft e mirë e Lenon në krahun e djathtë të mefushës dhe 14 golat e Zhermein Defo kanë bërë që “gjelat” ta shohin veten në vendin e katërt.
Birmingami, skuadra e sapongjitur në elitën e futbollit anglez, në fillim mendonte vetëm për të siguruar mbijetesën. Por rekordi prej njëmbëdhjetë ndeshjesh pa humbje (rekordi më mbresëlënës në historinë 101-vjeçare të klubit) i ka bërë djemtë e MekLish të besojnë se mund të arrijnë më tepër se sigurimi i mbijetesës. Prandaj, janë parashikuar goditje të fuqishme në merkato. Duhet një sulmues qendror: Kuranji dhe Babel, alternativat më të mundshme.
Tri zhgënjimet – Liverpul, Everton e Bolton
Liverpulit tashmë nuk i mjafton Fernando Torres. “Të kuqtë” e Rafa Benitezit janë të shtatët dhe kanë arkivuar shtatë humbje. Me largimin e Ksabi Alonsos (megjithëse u ble Akuilani) mungojnë idetë e qarta në mesfushë, nuk krijohet më si më parë.
Evertoni u rikthye më në fund te fitorja (2-0 në shtëpi përballë Bërnlit) pas një mungese të gjatë, që prej shtatorit. Skuadra e David Mojesit është në luftë për të mos rënë nga kategoria. Ndoshta mbërritja e sulmuesit amerikan Landon Donovan mund të ndryshojë diçka në këtë ekip. Por a do të mjaftojë?
Boltoni zyrtarizoi së fundi shkarkimin e trajnerit Geri Megson. E pashmangshme, duke parë që skuadra ndoshet në vendin e parafundit dhe ka fituar vetëm një nga dhjetë ndeshjet e fundit, duke pësuar të paktën një gol në çdo takim. Tifozët kurrë nuk e kanë dashur trajnerin, duke e kontestuar vazhdimisht.
11 më të mirët
Do të përzgjedhim 11 lojtarët më të mirë për çdo pozicion në fushë, duke shtuar edhe shtatë rezerva të mundshme (4-4-2):
Portier: Hart (Birmingam);
Mbrojtës: Ivanoviç (Çelsi), Vermalen (Arsenal), Terri (Çelsi), Evra (Mançester Junajtid);
Mesfushorë: Milner (Aston Vila), Fabregas (Arsenal), Lampard (Çelsi), Dempsei (Fulham);
Sulmues: Drogba (Çelsi), Runi (Mançester Junajtid)
Rezerva: Given (Mançester Siti), Djun (Aston Vila), Hjuxhs (Fulham), Lenon (Totenhem), Arshavin (Arsenal), Defo (Totenhem), Bent (Sandërlend).
11 të dështuarit
E njëjta gjë, por tani për ata futbollistë që deri tani kanë zhgënjyer:
Portier: Foster (Mançester Junajtid);
Mbrojtës: Braun (Mançester Junajtid), Skërtel (Liverpul), Ture (Mançester Siti), Hridarson (Portsmuth);
Mesfushorë: Balak (Çelsi), Leiva (Liverpul), Anderson (Mançester Junajtid), Deko (Çelsi);
Sulmues: Voronin (Liverpul), Robinjo (Mançester Siti)
Rezerva: Almunia (Arsenal), Ager (Liverpul), Brembëll (Uigan), Xhenas (Totenhem), Babel (Liverpul), Ouen (Mançester Junajtid), Berbatov (Mançester Junajtid).
Brezi i ardhshëm
Ja cilët janë pesë lojtarët më të mirë me datëlindje prej 1989 e këtej:
1 - N'Gog (Liverpul)
2 - Stanislas (Uest Hem)
3 - Ramsei (Arsenal)
4 - Di Santo (Blekbërn)
5 - Ualkot (Arsenal)
Blerja më efikase: Vermalen (Arsenal) – Mbrojtësi belg ka debutuar me fanellën e “Topçinjve” me një gol dhe prej atëherë ka treguar nivel të lartë dhe siguri në qendër të mbrojtjes.
Blerja e dështuar: Voronin (Liverpul) – Asnjë gol dhe vetëm një ndeshje si titullar për 30-vjeçarin ukrainas.
Karlo Ançeloti shpresonte ta mbyllte në krye fazën e parë dhe kështu ndodhi. Pavarësisht një momenti pasigurie, Çelsi mbetet favoriti kryesor në luftën për titullin kampion. Mançesteri ka treguar se po vuan largimin e Kristiano Ronaldos: kampionët në fuqi po mbështeten tek Runi dhe gjithsesi, janë ende në garë.
Njëlloj si Arsenali, që po mbështetet tek të rinjtë. Megjithatë, “Topçinjtë” vuajnë diferencën në përgatitjen fizike me Çelsin. Krizë e plotë për Liverpulin, ndërkohë që Totenhemi dhe Aston Vila po ecin mirë. Tani sytë janë drejtuar te Mançester Siti i Roberto Mançinit. Objektivi i trajnerit italian është një nga katër vendet e para. Gjithçka mbetet për t’u parë..