01 janar 2010

Shenjat 365..

Ata lanë shenja në 365 ditët e vitit. Barcelona fitoi gjithçka që mund të fitohet në futboll, ndërsa Brazili triumfoi në Kupën e Konfederatave. Usain Bolt shkeli rekorde botërore dhe fitoi dy medalje të arta në Kampionatin Botëror të Atletikës në Berlin. Spanja e mori titullin e parë në EuroBasket, ndërsa Jenson Button dhe Brawn GP dominuan në Formula 1.

Rekorde u thyen, tituj u fituan si dhe emri i Afrikës së Jugut nuk u përmend kurrë më tepër se sa gjatë vitit 2009. Ekipe të ndryshme luftuan si kampionë dhe treguan fuqinë e tyre të plotë në sukses historik. U dalluan edhe individë të cilët arritën të bëjnë atë që ishte pothuajse e pamundur të besohet. Viti 2009 ishte jashtëzakonisht i pasur në sportin ndërkombëtar.

Futboll.
Barcelona fitoi gjithçka që mund të fitohet. Gjiganti katalan u bë ekipi i parë në histori të futbollit që fitoi gjashtë tituj gjatë një sezoni : Liga e Kampionëve, La Liga, Copa del Rey, Superkupa e Evropës, Superkupa e Spanjës, Kampionati Botëror i klubeve.

Sulmuesi argjentinas Lionel Messi u shpall futbollisti më i mirë në botë për vitin 2009, ndërsa fitoi edhe Topin e Artë. Në Premierligë Manchester United fitoi titullin e tretë të njëpasnjëshëm, ndërsa në Itali, Inter e festoi të katërtin.

Në Bundesligë, Wolfsburg e fitoi titullin e parë në histori të klubit, ndërsa në Ligue 1, Bordeaux e theu dominimin e Lyonit. Porto ishte kampion i Portugalisë, ndërsa Besiktas në Turqi. Në Amerikën e Jugut, Estudiantes festoi triumfin në Copa Libertadores.

Nga futbolli ndërkombëtar vëmendja kryesore ishte e përqendruar te kualifikimet për Kampionatin botëror 2010, ndërsa nga 14-28 qershor u zhvillua Kupa e Konfederatave në Afrikën e Jugut. Brazili e fitoi titullin duke mposhtur në finale Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rezultat 3-2.

Vera e vitit 2009 shënoi transferimin më të shtrenjtë në histori të futbollit. Cristiano Ronaldo iu bashkua Real Madridit nga Manchester United në transferim me vlerë prej 94 milionë eurosh.

Basketboll.
Spanja e shkatërroi Serbinë 85-63 dhe fitoi titullin e parë në EuroBasket në Polonia 2009. Qendra Pau Gasol u shpall basketbollisti më i mirë i garës. Ndërsa medalja e bronztë i takoi Greqisë.

Në ligën më të fortë botërore NBA, Los Angeles Lakers fituan titullin pas fitores ndaj Orlando Magic 4-1. Ylli i Lakers, Kobe Bryant u shpall MVP. Në Euroligë, Panathinaikos fitoi kurorën e pestë pasi mposhtën CSKA Moskën 73-71 në finale në Berlin.

Formula 1.
Pas Lewis Hamilton, Anglia festoi një tjetër kampion të botës në Formula 1. Jenson Button fitoi titullin me ekipin debutues Brawn GP – që fitoi titullin edhe në konkurrencën e konstruktorëve. Ngasësi i Red Bullit, Sebastian Vettel përfundoi i dyti, ndërsa Rubens Barrichello (po ashtu nga Brawn GP) ishte i treti.

MotoGP.
Valentino Rossi e fitoi titullin e tij të nëntë në MotoGP.

Atletika.
Kampionati Botëror i Atletikës në Berlin, i zhvilluar nga 15-23 gusht, do të mbahet mend për sprinterin nga Xhamajka, Usain Bolt. Ai fitoi tri medalje të arta, ndërsa në dy prej këtyre garave arriti rekorde të reja botërore. Bolt e fitoi gatën në 100 metra në kohë prej 9.58 sekondash. 200 metra i vrapoi për 19.19 (po ashtu rekord i ri botëror), ndërsa fitoi edhe në 4x100 metra me stafetën e Xhamajkës.

Tenis.
Në tenis, Roger Federer arriti të fitojë dy nga katër Grand Slam turnetë e vitit 2009, por u mposht në dy finale të tjera. Spanjolli Rafael Nadal fitoi në Australian Open duke mposhtur Federerin 7-5, 3-6, 7-6(3), 3-6, 6-2.

Por, ylli zviceran triumfoi në Roland Garros, ku fitoi përballë Robin Soderling 6-1, 7-6(1), 6-4. Ai fitoi përsëri edhe në Wimbledon, ku në finale e mposhti amerikanin Andy Roddick 5-7, 7-6(6), 7-6(5), 3-6, 16-14. Por, Juan Martin del Porto e befasoi Federerin në US Open, duke e mposhtur 3-6, 7-6(5), 4-6, 7-6(4), 6-2. Në konkurrencën e femrave, Serena Williams fitoi në Australian Open, ndërsa u mposht nga motra e saj Venus në finalen e Wimbledonit. Svetlana Kuznetsova e mposhti Dinara Safinan në finalen e Roland Garrosit, ndërsa Kim Clijsters fitoi në US Open.

Boks.
Vëllezërit Vitali dhe Wladimir Klitschko arritën të mbrojnë me sukses brezat e tyre të kampionit të botës në versionit IBF, IBO, WBO dhe WBC respektivisht. I vetmi ndryshim i kampionit në kategorinë e rëndë erdhi në versionin WBA, ku britaniku David Haye mposhti gjigantin rus Nikolai Valuev.

Çiklizëm.
Rikthimi i Lance Armstrong ringjalli garën më të famshme çiklistike Tour de France, por ishte kolegu i tij nga Astana, Alberto Contador ai që ishte fitues. Denis Menchov fitoi në Giro d’Italia, ndërsa Alejandro Valverde triumfoi në Vuelta të Spanjës.