05 janar 2010

S’ka portierë cilësorë

Trajneri kryesor i portierëve të përfaqësueses së Kosovës në futboll, Shukri Paçarada, njëherësh bashkëpunëtori i ngushtë i përzgjedhësit Albert Bunjaku, ka konfirmuar se Kosova ka mungesë të portierëve cilësorë.
Para Paçaradës këtë brengë e patën shprehur edhe shumë trajnerë tjerë kosovarë, qofshin ata ish selektorë, kryetrajnerë të klubeve apo trajnerë të portierëve.
Sipas Paçaradës, mungesa e portierëve kualitativë kosovarë ka rezultuar si pasojë e mospjesëmarrjes së klubeve apo përfaqësueses së Kosovës në gara ndërkombëtare tash e shumë vite. Pos kësaj, Paçarada tërthorazi tha se në Kosovë nuk i kushtohet shumë rëndësi rolit të portierit në lojën e futbollit.
Këto komente Paçarada i bëri të hënën për Grande Juve, pas një seance stërvitore që e mbajti në Prishtinë me disa portierë kosovarë, të cilët synojnë që në të ardhmen ta mbrojnë portën e reprezentacionit të Kosovës pas pranimit të saj në FIFA e UEFA.
“Në Kosovë e ka bërë të vetën mospranimi i Kosovës në FIFA e UEFA. Ne me vite nuk marrim pjesë në gara ndërkombëtare. Kjo ka ndikuar që zhvillimi i portierëve të jetë i stagnuar. Nuk dua t’i nënçmoj këta portierë që i kemi sot, por ka vend ende për punë shumë më të madhe për të bërë”, deklaroi Paçarada i cili tash e tri vjet punon si trajner i portierëve në shkollën e futbollit të klubit gjerman Bayern Leverkusen.
“Ndoshta pak sa këtu është nënçmuar puna e portierit. Ende e kemi një mentalitet të vjetër. Unë mendoj se portieri ka një rëndësi të madhe në futboll, sidomos në ndeshje të mëdha ndërkombëtare”, theksoi ai.
Megjithatë, ish portieri i gjeneratës së artë i Prishtinës ka dhënë mendimin e tij se çka duhet bërë që Kosova të ketë portierë më kualitativë.
“Duhet të afrohemi mes vete të gjitha palët: trajnerët, klubet, federata. Ka nevojë për një bashkëpunim të tillë dhe ta nisim një koncept të pastër të punës me portierët. Në këtë mënyrë mund të bëjmë portierë kualitativë, për të cilët gjithsesi se kemi nevojë. Është e rëndësishme që të bëhet një punë më e madhe dhe më moderne me portierët tanë. Duhet t’u kushtojmë rëndësi portierëve sepse ka djelmosha të mirë, me të cilët duhet të punohet për të arritur sukses”, pohoi ai.
Paçarada tha se nuk ka informacion se a ka ndonjë portier kualitativ kosovar që aktivizohet në ndonjë klub të huaj me përjashtim të Arian Beqajt dhe Samir Ujkanit.
Ndërkohë, Paçarada foli edhe rreth stërvitjes së tij të parë që prej kur u angazhua në shtabin teknik të përfaqësueses së Kosovës, të cilën e zhvilloi të hënën në stadiumin e 2 Korrikut me gjashtë portierë.
“Stërvitja zgjati rreth tri orë. Me ata portierë punuam në dy grupe. Punuam teknikisht, lojë me top dhe në fund atletikë. Këto tri elemente kryesore të portierëve i pashë deri diku. Kanë aftësi të mira, por kanë nevojë edhe për përmirësime të dukshme”, nënvizoi Paçarada i cili tha se me një stërvitje të vetme nuk është e mundur të vërehet kualiteti real i portierëve.

Paçarada lavdëron Bunjakun

Ish portieri i famshëm kosovar, Shukri Paçarada gjatë qëndrimit për festat e fundvitit në Prishtinë, ka treguar arsyet sipas të cilave ka pranuar të punojë në shtabin teknik të përfaqësueses së Kosovës bashkë me seleksionuesin kosovar Albert Bunjaku.
“Më ka pëlqyer filozofia e Albertit dhe do të mundohem që atë filozofi ta përkrah edhe në punën time me portierët. Unë qysh më herët kam pasur një bashkëpunim me Albert Bunjakun dhe i kam premtuar se do të bashkëpunojmë edhe rreth përfaqësueses së Kosovës sa herë që kam mundësi dhe sa më shumë që është e mundur”, tha Paçarada.
Paçarada tash e tri vite punon në shkollën e futbollit te Bayern Leverkusen. Me ndihmën e disa kolegëve të tij, Paçarada në këtë shkollë punon me rreth 20 portierë, por që asnjëri nga ta nuk është shqiptar. Ai tha se përvojën e tij të fituar në Bayern Leverkusen do të përpiqet ta sjellë edhe në Kosovë.