Periudha e errët në Vëllaznim mund të marrë fund shumë shpejt. Në fakt, një biznesmen i fuqishëm është i interesuar dhe i gatshëm ta blejë klubin gjakovar, i cili është pronë e Komunës së Gjakovës.Këtë e ka bërë të ditur menaxheri dhe futbollisti i kuqezinjve, Ismet Munishi, i cili ka biseduar personalisht me këtë biznesmen, emrin e të cilit nuk deshi ta bënte publik. Sipas tij, blerja e klubit nga ky biznesmen do t’i bënte mirë jo vetëm klubit, por edhe gjithë qytetit të Gjakovës.
“Kam arritur ta bindi një biznesmen shumë të fuqishëm që ta blejë klubin e Vëllaznimit. Këtij biznesmeni do t’ia shihte hairin jo vetëm Vëllaznimi, por edhe qyteti i Gjakovës, ku do të zbutej papunësia me investimet e tij”, u shpreh Munishi të hënën për Grande Juve.
Munishi tregoi se biznesmeni në fjalë i ka propozuar atij që të bëhet kryetar i klubit dhe ta zgjedhë kryesinë e re, në mënyrë që klubi të dalë nga kriza e thellë. Ky biznesmen ka premtuar se do ta financojë klubin dhe këtë do ta bëjë me modesti, pa dashur t’i bëhet emri publik.
“Ne do të takohemi me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, të cilit do t’ia propozojmë ofertën tonë, do t’i vendosim letrat në tavolinë. Nëse arrijmë marrëveshje, ky do të thoshte shpëtim për Vëllaznimin. Ky klub nuk do të brengosej më për çështjen financiare”, vazhdoi ai.
Munishi e ka kritikuar kryesinë aktuale të Vëllaznimit, për të cilën thotë se nuk po punon sa duhet, pasi ia doli ta angazhonte vetëm trajnerin Ajet Shosholli. Ai ndihet i zhgënjyer me mungesën e përforcimeve, pa të cilat pohon se ekipi nuk do të mund të bënte asgjë në pranverë. Vëllaznimi e ka mbyllur sezonin vjeshtor në pozitën e parafundit në tabelën e Superligës, me vetëm 14 pikë të tubuara.