04 janar 2010

Pret vit të mbarë

Valon Behrami shpreson që mos të përsëritet më viti 2009 për ekipin e tij dhe për të. Përfaqësuesi zviceran shpreson që në vitin 2010, klubi anglez të ketë më shumë fat dhe të arrijë rezultate pozitive, në mënyrë që t’i harrojë 12 muajt traumatizues që kaloi në vitin që shkoi.
Për shkak të problemeve të ndryshme, mbi të gjitha financiare dhe të lëndimeve, klubi i Gianfranco Zolas zhgënjeu me rezultate në sezonin vjeshtor, duke mbetur në pjesën e poshtme të tabelës së Premierligës.
“Viti që shkoi ishte frustues. Shpresoj që për mua dhe për West Hamin, ky vit të jetë shumë më i mirë, sepse vitin që shkoi patëm shumë rezultate negative”, tha 24-vjeçari.
Në ndeshjen e fundit të vitit 2009, West Hami u mposht nga Tottenhami me rezultat 2:0. Behrami mendon se lëndimet e shpeshta bënë që klubi Hammers të zbresë në pozitën e 17 në tabelë.
“Mendoj se ne mund të përballemi me çdo ekip, kur të rikthehen të lënduarit. Në dy ndeshjet e fundit ne luajtëm si ekip, kjo është më e rëndësishmja. Neve na nevojitet më shumë kualitet për momentin”, tha Behrami
Numri 21 i West Hamit thotë se futbollistët e këtij ekipi duhet të fokusohen në formën fizike. Ai po ashtu kërkon sqarim nga klubi dhe kërkon që zyrtarët e klubit ta sigurojnë atë që nuk do të shesin lojtarë në afatin kalimtar të janarit..