Për Bekim Kastratin, kapitulli te Dynamo Dresden është mbyllur pas vetëm pesë muajsh.Sulmuesi 30 vjeç, i cili për festat e fundvitit qëndroi për pushime në Moenchengladbach, ka konfirmuar se nuk do të jetë më pjesë e ekipit nga liga e tretë gjermane - Dinamo, dhe se është në kërkim të klubit të ri. “Dëshiroj ta shkëpus kontratën time në ditët e ardhshme. Është më mirë nëse shkojmë në rrugë të ndryshme me klubin”, u shpreh Kastrati për tabloidin gjerman, Bild.
Trajneri i Dinamos, Matthias Maucksch, kishte deklaruar se nuk llogarit më në futbollistin kosovar, i cili mund ta shkëputë kontratën që ka vlerë deri në fund të sezonit. “Dëshiroj të luaj futboll. Nëse nuk mund ta bëj këtë, atëherë nuk jam i lumtur”, theksoi ish-përfaqësuesi shqiptar.
Tash, Kastrati është në kërkim të shtëpisë së re në futboll. “E di se çka mund të bëj unë, këtë e dinë edhe shumë të tjerë”, tha ai.
Kastrati nuk është përshtatur mirë te Dynamo. Ai pati vetëm 8 paraqitje këtë sezon, ndërsa nuk ia doli të shënonte asnjëherë. Kastrati më parë ishte pjesë e klubeve Wegberg-Beeck, Borussia Freialdenhoven, Borussia Mönchengladbach, Eintracht Braunschweig dhe Fortuna Düsseldorf, para se të transferohej te Dynamo Dresden.