05 janar 2010

Kuqi s’është i pashitshëm

Paraqitjet e dobëta të TuS Koblenz në sezonin vjeshtor e kanë shtyrë të mendojë mirë Shefki Kuqin për të mbetur ose jo më pjesë e ekipit nga Bundesliga 2 gjermane. Futbollisti kosovar e ka shprehur pakënaqësinë e tij për rezultatet e dobëta të klubit, duke kërkuar mobilizim dhe përforcime.
Edhe pse është shënuesi më i mirë për momentin te Koblenz, kapiteni Kuqi mund ta ndërrojë mjedisin në janar, pas vetëm 6 muajsh qëndrimi në skuadrën ku luan edhe vëllai i tij, Njaziu. Mediet angleze ditëve të kaluara flisnin për një interesim të klubit nga liga e dytë angleze, Swansea City.
“Nuk kemi marrë ofertë nga ndonjë klub. Shefkiu po stërvit me ekipin, kështu që për momentin nuk ka diçka të re”, ka thënë menaxheri i klubit, Wolfgang Loos për ueb faqen gjermane rhein-zeitung.de. Megjithatë, gjërat mund të ndryshojnë brenda ditës, kështu që Koblenz duhet të vendoset në ofanzivë për alternativat e mundshme të veteranit me nënshtetësi finlandeze.
“Nëse një klub vjen te ne, do të ulemi të bisedojmë së bashku për ta gjetur një zgjidhje”, vazhdoi Loos. Koblenz e ka mbyllur sezonin vjeshtor të Bundesliga 2 në vendin e parafundit, me vetëm 12 pikë të grumbulluara.