Vllaznia gjobit Osjen me një rrogë
Safet Osja bëhet "kurbani" i parë te Vllaznia. Kjo është e reja më e fundit që vjen nga kampioni shkodran. Sikurse është mësuar dje nga burime të besueshme brenda klubit kuqeblu, mesfushori është gjobitur me një rrogë mujore. Motivi i këtij ndëshkimi është paksa absurd. Sipas përgjegjësve të klubit, Osja është prononcuar në media para 2-3 javësh dhe një gjë të tillë e ka bërë pa i marrë leje klubit. Absurditeti qëndron në faktin se një rregull i tillë në lidhje me prononcimet për media vetëm pos lejes së klubit, është miratuar vetë dy javë më parë. Ndërsa deklaratat e Osjes në shtyp i përkasin një periudhe më të hershme. Gjithsesi, një vendim i tillë me shumë mundësi do të bëhet i njohur zyrtarisht vetëm sot. Osja, aktualisht në një moshë 34-vjeçare, është një nga veteranët e klubit shkodran, i cili mban mbi shpatulla 3 tituj kampionë të fitores, por edhe një Kupë dhe dy Superkupa. Në karrierën e tij ai ka luajtur për tri ekipe të kampionatit shqiptar, si Vllaznia, Laçi dhe Elbasani.