23 shtator 2009

Inferiorët hapin siparin e Kupës

Kupa e Shqipërisë hap zyrtarisht siparin për edicionin 2009-2010, me sfidat e turit të parë paraeliminator që do të luhen sot në orën 15.30. Sipas formatit të këtij aktiviteti, të parat që zbresin në fushë janë skuadrat inferiore (të Kategorisë së Dytë), ku fitueset përcaktohen vetëm në 90 minuta. Në grupin e jugut Vlora pret sot në fushën e saj Këlcyrën, ndërsa përballjet e tjera janë Tomori-Përmeti, Domosdova-Maliqi e Delvina-Himara. Në anën tjetër, në grupin e veriut Naftëtari përballet me Çlirimin, Mamurrasi me Korabin, Erzeni luan kundër Ilirisë dhe sfida e fundit është Luzi-Përparimi. Katër ekipet fituese të secilit grup kualifikohen në turin e dytë paraeliminator, ndeshjet e të cilit do të zhvillohen më 30 shtator, pra vetëm 7 ditë më pas. Trofeu i dytë për nga rëndësia në vend hyn në fazën interesante, ku në turin e tretë, dy ekipet fitues të secilit grup do t‘u shtohen 28 skuadrave elitare (nga Superiorja dhe Kategoria e Parë), për të plotësuar 16 çiftet që zbresin në fushë.