
Debatik Curri u shfaq te Vorskla Poltave në verën e vitit 2005. Ai u transferua në kampionatin ukrainas nga skuadra e Prishtinës, por në fillimet e tij ishte një futbollist i panjohur. Me kalimin e kohës ai arriti të bëhet një lider në ekipin e Poltavës. Tashmë pas sezonesh në këtë kampionat, ai ka rrëfyer arsyet që e bënë të zgjidhte kalimin te Vorskla, edhe pse për të kishte oferta nga klube të tjera europiane, si Hamburgu. "Unë isha i interesuar për kampionatin ukrainas dhe vendosa të provoj një eksperiencë të re, - sqaron Curri në një prononcim për mediat e atdheut të Shevçenkos. Sigurisht fillimi ishte i vështirë, pasi unë nuk e njihja Ukrainën tuaj, nuk e njihja as gjuhën dhe kjo u bë pengesë në integrimin tim të menjëhershëm në ekip. Kur e mësova gjuhën, gjithçka ishte më e lehtë". Në atë kohë Curri ka pasur kontakte me skuadrën e Hamburgut, por në fund tratativat dështuan. "Për fat të keq, negociatat nuk arritën deri në fazën përfundimtare, dëshmon mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë. Por tani nuk më ka mbetur asnjë peng nga ajo kohë, sepse jam ndier mirë në skuadrën e Vorsklas. Për momentin mendoj vetëm për këtë ekip. Kam ende një vit e gjysmë kontratë". Kohët e fundit Vorskla ka kaluar një periudhë të vështirë, e cila është shoqëruar me dështime të njëpasnjëshme. "Kemi pasur disa probleme, - rrëfen Curri, dhe kjo periudhë na gjeti të papërgatitur si duhet për të përballuar vështirësitë që do të na dilnin para. Si rezultat u eliminuam nga Kupa e Ukrainës, më pas edhe nga Europa League. Pastaj pasuan edhe dështimet në kampionat. Por ne nuk jemi dorëzuar". Më pas futbollisti shqiptar flet në detaje për rezultatet e fundit të Vorsklas, e cila u mund nga Metalurg Zaporisha dhe barazoi pa gola me Krivbasin. Për këtë të fundit Curri shton se "dhamë maksimumin për të arritur fitoren, por për fat të keq në futboll jo gjithmonë mund të marrësh atë që meriton, përfundon mbrojtësi i Kombëtares kuqezi.