23 shtator 2009

Trajneri, i pakënaqur nga legjionarët

Josip Kuzhe është i pakënaqur me futbollistët shqiptarë që luajnë në Austri dhe Gjermani. Në mesin e këtij muaji, drejtuesi i stolit kuqezi udhëtoi drejt këtyre vendeve, për të vëzhguar nga afër paraqitjet dhe formën e elementëve të Kombëtares. Megjithatë, ai ka mbetur i zhgënjyer, pasi asnjëri prej tyre nuk ka vazhdimësi në paraqitjet me klubet përkatëse. Me kalimin te Rapidi i Vjenës, përveç problemeve me integrimin, Hamdi Salihi është përballur edhe me konkurrencën e fortë. Është e vërtetë që shqiptari ka shënuar dy gola në tri ndeshje, por deri më tani ai është aktivizuar si titullar vetëm gjatë fundjavës që kaloi, në fitoren 7:1 në fushën e modestëve të St. Veit (ku shënoi edhe njërën prej rrjetave), të vlefshme për Kupën e Austrisë. Kuzhe ishte i pranishëm në stadiumin legjendar "Ernst Hapel", në sfidën që Rapidi fitoi 3:0 me Hamburgun në Europa League. Shkodrani 25-vjeçar debutoi në fazën finale të kupave kontinentale, por ai luajti vetëm në 5 minutat e fundit.
Kuzhe është tronditur edhe më shumë gjatë qëndrimit në Gjermani. Fakti që Ervin Skela është ende pa skuadër, kur ka kaluar më shumë se një muaj nga fillimi i aktiviteteve është shqetësues. Fantazisti është kapiteni i Kombëtares dhe "truri" i aksioneve sulmuese, por me situatën aktuale, forma e tij nuk mund të jetë optimale. Kuzhe është i shqetësuar edhe për momentet negative që po kalojnë lojtarët e tjerë kuqezi në kampionatin gjerman. Jahmir Hyka aktivizohet me "pikatore" te Mainci, ndërsa Edmond Kapllani dhe Besart Berisha, që mbrojnë ngjyrat e Augsburgut dhe Arminias në Bundesligën II, janë "gozhduar" në stolin e rezervave.