23 shtator 2009

Kuqezinjtë e Josip Kuzhe, përgatitje në Frankfurt

Shqipëria, tetë ditë grumbullim për Suedinë

Pas barazimit me Danimarkën në "Qemal Stafa", Shqipëria synon të marrë rezultat pozitiv edhe në ndeshjen e fundit të Grupit 1 eliminator të Botërorit 2010 me Suedinë. Përfaqësuesja e drejtuar nga Josip Kuzhe do të grumbullohet tetë ditë përpara sfidës kundër Ibrahimoviç & Co., për t‘u përgatitur sa më mirë. Vendimi është marrë pas konsultave të trajnerit kroat me drejtuesit e FSHF-së, të cilët kanë vendosur që Kombëtarja të stërvitet në Frankfurt. Të gjithë lojtarët do të paraqiten nën urdhrat e Kuzhesë që prej datës 6 tetor dhe për plot një javë do të qëndrojnë në qytetin gjerman. Më 13 tetor, vetëm 24 orë përpara fërshëllimës së fillimit të takimit, kuqezinjtë nisen drejt Stokholmit, për të zhvilluar stërvitjen e fundit në tokën suedeze. Grumbullimi i kuqezinjve në Frankfurt do të sjellë edhe shtyrjen e javës së shtatë të Kategorisë Superiore, që sipas kalendarit ishte parashikuar të luhej më 4 tetor. Në atë javë luhet derbi Dinamo-Tirana, por edhe sfida të forta si Besa-Flamurtari e Vllaznia-Shkumbini. Për të parë këto duele, tifozët duhet të presin muajin nëntor, ndërsa data mbetet ende për t‘u vendosur.

Përgatitjet disaditore të Kombëtares do të zhvillohen duke përfituar edhe prej faktit se 10 tetori (kur Shqipëria nuk ka përcaktuar asnjë ndeshje) është një datë e lirë nga FIFA. Në mungesë të një kundërshtari të nivelit ndërkombëtar, Kuzhe do ta testojë skuadrën përballë FSV Frankfurt, skuadrës së dytë të këtij qyteti (pas Ajntrahtit të Frankfurtit), që militon në Bundesligën II gjermane. Aty 56-vjeçari do të vlerësojë gjendjen e të gjithë lojtarëve, për të zgjedhur më pas se cila është mënyra më e mirë për të luajtur kundër skandinavëve të drejtuar nga Lars Lagerbak.

Skela

Klubin gjerman të FSV Frankfurt dhe Shqipërinë i lidh edhe një tjetër detaj mjaft interesant. Në fakt, kjo skuadër po interesohet për shërbimet e kapitenit aktual të Kombëtares (në mungesë të Altin Lalës), Ervin Skela. Në gjashtë ndeshje të zhvilluara, të besuarit e trajnerit Tomas Oral kanë grumbulluar vetëm 1 pikë dhe mbyllin tabelën e klasifikimit. Stafi teknik kërkon përforcime të menjëhershme dhe një prej alternativave është pikërisht Skela. Emri i 32-vjeçarit është përfolur mjaft në ambientet e klubit, edhe sepse ai ende nuk ka gjetur një skuadër për të luajtur në këtë edicion. Përveç vlonjatit, FSV po mendon të afrojë edhe shqiptarin nga Kosova, Faton Toski: mesfushori 22-vjeçar, deri në vitin 2006 ishte pjesë e Ajntrahtit të Frankfurtit.