22 shtator 2009

Toti, tifozët i refuzojnë fanellën

Marrëdhënia e kapitenit verdhekuq me tifozerinë e Romës është përkeqësuar edhe pas fitores me Fiorentinën
Roma ka rigjetur lojën e saj dhe ka rigjetur Totin protagonist bashkë me De Rosin, në fitoren e arritur kundër Fiorentinës. Por rreth skuadrës verdhekuqe dhe kapitenit të saj vazhdojnë të qëndrojnë ‘re’ të rrezikshme. Në fund të ndeshjes Toti ka shkuar drejt tifozëve romanistë për t’i përshëndetur, duke i hedhur fanellën e tij, por që është kthyer menjëherë mbrapsht. Një veprim polemizues që dëshmon se marrëdhënia midis lojtarit dhe disa prej tifozëve ka marrë një drejtim të keq. Kështu, kapiteni nuk është më i paprekshëm, tani është një gjë mëse e sigurt. Në zemrat verdhekuqe duket se dikush tjetër ka zënë vendin e tij.
Të shtunën e kaluar, duke dalë nga qendra stërvitore e “Trigoria”-s, disa tifozë i kanë thënë De Rosit: “Jemi kundër të gjithëve përveç teje”. Një mesazh i fortë dhe i qartë. Në fushë Toti ka marrë për dore skuadrën, duke realizuar një dygolësh dhe duke dhuruar një pasim për vetë De Rosin, por pakënaqësitë nuk janë larguar. Pas ndeshjes kapiteni ka hedhur fanellën e tij në sektorin ku kanë qëndruar tifozët ultras të Romës, por ai që e ka kapur e ka kthyer mbrapsht. Një veprim ky që konfirmon sesi çështja e kontratës ka ndikuar negativisht tek marrëdhënia e tij me një pjesë të tifozerisë.
Toti i është përgjigjur me krenari kritikave, jo të gjithë e kanë dëgjuar. Vetëm kur është ndodhur jashtë stadiumit ka buzëqeshur dhe ka bërë një batutë. “Ndeshje shumë e bukur, kjo është Roma. Dedikime? Kam shumë, më mirë sikur t’i evitoja”. Natyrisht, deklaratë me ton polemizues. Edhe pse Ranieri ka minimizuar: “Jam i sigurt se është i kënaqur me lojën e tij”. Ashtu siç ka qenë i kënaqur trajneri, i kthyer në shtëpi si fitues. Jo pak, në një ambient që ka nevojë për fitore.