22 shtator 2009

Sedorf, numri 10-të i vërtetë i Milanit

Holandezi ka bërë të heshtin vërshëllimat e “San Siro”-s: Nuk kërkoj hakmarrje. Goli për shokët e tifozët
Vendimtar në Marsejë me dy pasime të sakta për gol për Pipo Inzagin në Champions, edhe më shumë vendimtar në kampionat kundër Bolonjës me një shkëputje të bukur në krahun e majtë të zonës bolonjeze, ku pasi shmang mbrojtësin, i vetëm përballë portierit diagonal nuk gabon.
Pas “erës së shpejtë” Ronaldinjo, me sa duket e mbyllur përfundimisht nga ana e brazilianit, Klarens Sedorf e ka bërë Milanin për vete me paraqitjet e tij, lojën, golat dhe autoritetin në fushë. I aktivizuar në rolin e fantazistit, holandezi ka bërë të heshtin edhe vërshëllimat e fundit rituale të “San Siros”. “A isha nervoz meqë kisha shumë përgjegjësi para të gjithë tifozëve? Ka 18 vjet që ndodh kështu, për fat të mirë shumë sy më ndjekin dhe i falënderoj për këtë… Golin ia kushtoj shokëve të skuadrës dhe tifozëve.”
Polemikat e zëvendësimit të vonuar në derbi tashmë janë pas shpine dhe Sedorfi përfiton për të nënvizuar imazhin e një skuadre të shëndoshë nga të gjitha aspektet: “I pari që erdhi të më përqafojë pas golit ishte Gatuzo, - tregon Sedorfi. - Grupi ynë është i bashkuar, mjaft me polemika. Dhe Ronaldinjo nuk është një çështje, është një shok skuadre dhe gjatë sezonit do të jetë vendimtar.
Besoj se duhet të jemi të bindur dhe të kemi besim te cilësitë tona…”. Megjithatë, sipas mesfushorit 33-vjeçar, e rëndësishme është që Milani fitoi. Një vëzhgim banal ndoshta, por për momentin në kampionat nuk ishte e lehtë dhe Sedorfi e di sesa është lodhur skuadra të arrijë deri këtu. “Vuajtëm shumë ndaj Bolonjës, nuk arrinim t’i çanim.
Në mbrojtje nuk rrezikonim fare, por lodheshim në repartet e tjera. Sidoqoftë këto janë sinjale të rëndësishme. E përsëris, duhet të kuptojmë cilësitë tona për ta zhbllokuar ndeshjen sa më shpejt dhe pastaj kur gjejmë hapësirë, gjithçka ndryshon”, - përfundon Sedorf. Por kjo vlen për të gjithë dhe jo vetëm për një kampion si Klarensi, i cili tashmë ka për detyrë t’u shpjegojë të tjerëve se Milani mund t’ia dalë, edhe pa Kakànë, edhe pa Maldinin e Ançelotin, por para së gjithash edhe pa Ronaldinjon….