22 shtator 2009

'Tërmet' në Trepçë, rast për KEK-un

“Kryesia pruri vendimin për dënimin e futbollistëve më të holla, këtë unë nuk e pranova. Këtë vendim kërkova ta shfuqizojnë, ata nuk deshën dhe ofrova dorëheqjen e parevokueshme”, tha Gani Sejdiu, kryetrajner i deridjeshëm i Trepçës.

Humbja nga Ferizaj të shtunën e kaluar me rezultat 1:0 në Mitrovicë ka përplasur mes vete kryesinë e klubit të futbollit Trepça nga Mitrovica me kryetrajnerin Gani Sejdiun. “Pas humbjes nga Ferizaj, kryesia gjatë stërvitjes më pruri vendimin e çuditshëm për dënimin e futbollistëve me të holla dhe nuk e pranova një gjë të tillë. Kërkova menjëherë që ky vendim të shfuqizohet, sepse nuk kishte arsye për dënimin e futbollistëve. Çdo skuadër mund të humb një lojë për faktin se befasitë ndodhin kudo në botë dhe lere më pse u mundëm nga një Ferizaj. Futbollistët nuk maten më një ndeshje, por duhet një kampionat. Në gjashtë javët e para ishim një skuadër për lakmi, ndër më të organizuara dhe më këta futbollistë arritëm rezultate dhe ishim në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit. Kryesisë u thashë se nëse është në pyetje m’i dënuar futbollistët, ai njeri që ka kompetencë të bëjë një gjë jam unë. Këtë ua thash në sy dhe kërkova shfuqizimin e vendimit. Nuk lejojë për një ndeshje të humbur të dënohen futbollistët dhe pa pikë arsye. Ndërkohë patëm kontradikta dhe mua nuk më mbetët gjë tjetër përveç që dhashë dorëheqje të parevokueshme”, tha Gani Sejdiu, kryetrajner i deridjeshëm i Trepçës. Në prag të ndeshjes me KEK-un, që do të zhvillojë Trepça të mërkurën në Kastriot udhëton pa kryetrajner dhe e pret një sprovë tejet e vështirë. Trepça për shtatë javë të kampionatit shënoi pesë fitore, pësoi dy humbje dhe me 15 pikë mban pozitën e dytë në tabelë ose një pikë më pak se lideri i tabelës, Flamurtari i Prishtinës. Nga ana tjetër, në taborin e KEK-ut, mbretëron një optimizëm i madh për rezultat pozitiv. Bekim Isufi futbollistë, nuk e shikon dridhjen që ka të brendshme Trepça, por kërkon angazhim dhe fitore. “Dihet se Trepça e ka vështirë sepse udhëton pa lider, pra pa kryetrajner. Kjo KEK-ut fare nuk i lë përshtypje, por synojmë më angazhim dhe lojë të mirë të arrijmë te fitorja. Javën e kaluar humbëm befasisht në Gjilan, por mendoj se këtë herë do të dalim më rezultat pozitiv. Si në aspektin fizik, si të lojës teknike-taktike jemi më të përgatitur. Nuk duhet harruar se Trepça është ndër skuadrat më të mira në ligë dhe që dëshmon futboll cilësorë, kështu që duhet të jemi të kujdesshëm dhe mos të hyjmë më eufori lojës”, tha Isufi. Kampioni në fuqi, Prishtina ka sprovë të vështirë si mysafirë i Drenicës, Ferizaj sfidon Lirinë. Flamurtari i motivuar pret fitore kundër Gjilanit dhe të ruajë kreun e tabelës, kurse Vëllaznimi synim ka fitoren përballë Kosovës nga Vushtrria. Në Pejë, Besa kërkon tri pikë në ballafaqim me Hysin nga Podujeva, që këta të fundit udhëtojnë për fitore.

Ndeshjet dhe gjyqtarët

E mërkurë

Vëllaznimi-Kosova (V)
Ferizaj-Liria
KEK-u-Trepça
Flamurtari-Gjilani
Besa-Hysi
Drenica-Prishtina
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 15.00