22 shtator 2009

“Profecia” e Kasanos drejt realizimit

Një muaj më parë, ekzaktësisht më 21 gusht, Kasano bënte shaka në mënyrën e tij: “Po të dëgjosh të tjerët, - ka thënë ai në një konferencë për shtyp - do të fitojnë të gjithë. Ka nga ata që fitojnë kampionatin, ata që duan të arrijnë në Champions, ata që janë të sigurt për një vend në UEFA. Po të doni e them edhe unë, që do të fitojmë kampionatin, pasi në verë thuhen shumë budallallëqe…”.
Pikërisht, thuhen, por ndoshta talenti barez nuk e imagjinonte këtë start të shkëlqyer të Sampdorias së tij. Kështu, nuk mund ta dinte se fjalët e thëna nga ai para një muaji do të ktheheshin në një lloj “profecie” ose, për ta parë siç është sot, një mesazh i qartë ndaj kundërshtarëve. Katër fitore në po aq ndeshje në kampionat, në Gjenovë, nuk ishin parë asnjëherë.
As kur Sampi ishte ai i Vialit dhe Mançinit, ose kur sampdorianët mrekullonin qytetin e tyre duke dominuar në Itali dhe Europë. Qëndron fakti që Kasano, ai që nuk ka arritur të ketë simpatinë e Lipit dhe Mourinjos (”Të dy nuk më duan”, ka bërë shaka disa ditë më parë), për dy ditë të tjera do të shijojë vendin e parë në kampionat. Të paktën deri të mërkurën, kur skuadrës së Del Nerit do t’i duhet të udhëtojë drejt një Fiorentine të zemëruar dhe të plagosur.