23 shtator 2009

Tafaji: Nuk po marrim maksimumin nga ekipi

Tirana e këtij sezoni vazhdon të vuajë periudhën e saj jo të mirë në kampionat, edhe pse një hap të parë drejt rikuperimit të formës e ka hedhur në ndeshjen ndaj Besës. Një gjë të tillë e konfirmon edhe vetë drejtori teknik i bardhebluve, Alban Tafaji, në një analizë të bërë prej tij dje në lidhje me ndeshjet e para të edicionit të ri futbollistik 2009-2010. "Tani mendoj se e kemi kaluar atë periudhë të vështirë të fillimit të sezonit, shprehet drejtori teknik i Tiranës. Një gjë të tillë e tregoi edhe loja e mirë që zhvilluam ndaj Besës në takimin e së shtunës së kaluar". Gjithsesi, kur shikon rezultatet dhe i krahason ato me ambiciet që kanë bardheblutë, duket se jo gjithçka po shkon mirë. "Aktualisht nuk kemi më probleme madhore, por nuk po i marrim maksimumin skuadrës. Ende ndihen mungesat e titullarëve dhe kjo është parë qartë. Megjithatë, unë jam optimist se do t‘ia dalim mbanë", thotë në përfundim Tafaji.