23 shtator 2009

Bogdani, në 11-shen më të mirë të Serisë A

Erion Bogdani është pjesë e formacionit të javës së kampionatit italian, kjo të paktën sipas tifozëve që janë pjesë e një ankete të organizuar nga e përditshmja më e madhe sportive në Itali, "Gazeta dello Sport". Shqiptari që aktivizohet me Kievon është një nga 3 sulmuesit e përzgjedhur në anketën ku e përditshmja e njohur vë në dispozicion të vizitorëve të uebsajtit të saj një shumë virtuale parash dhe i kërkon të ndërtojnë 11-shen e tyre të preferuar. Për tifozët, Bogdani që realizoi 1 gol dhe fitoi një 11-metërsh në fitoren 3-1 me Xhenoan vlen 10 milionë euro. Kjo është një lojë, por të paktën në realitet sulmuesi 32-vjeçar e ndihmoi ekipin e tij të arrinte një trepikësh të çmuar. Megjithatë, sonte në mbrëmje Kievo luan kundër Sienës në transfertë. Sulmuesi shqiptar pritet të jetë titullar nga minuta e parë, edhe pse media italiane ka hedhur hipotezat se ai mund të ulet në pankinë për t‘i lënë vendin Granokesë.