05 shtator 2009

Shqipëria sulmon Danimarkën

Kombëtarja shqiptare po vazhdon të përgatitet për ndeshjen kundër Danimarkës, që do të zhvillohet më 9 shtator në kuadër të eliminatoreve për botërorin Afrika e Jugut 2010.
Trajneri i Kombëtares shqiptar, Josip Kuze, ka kërkuar nga futbollistët e tij që në ndeshjen kundër danezëve të luajnë më mirë sesa në takimin e parë, kur kuqezinjtë ishin mposhtur në Kopenhagë me rezultat të thellë 3:0.
“Duhet të përmirësohemi në fushën tonë dhe të luajmë më mirë sesa kemi luajtur në Danimarkë, pra kërkohet një përmirësim i madhe në lidhje me lojën që do të zhvillojmë. Duhet të krijojmë një atmosferë të mirë në këtë ndeshje, duke luajtur mirë dhe duke arritur rezultat pozitiv për të kënaqur edhe tifozët tanë”, ka thënë Kuze të premten gjatë një konference për shtyp.
Trajneri kroati ka thënë se kundër danezëve i pëlqente fitorja, e cila do t’i kënaqte të gjithëve lojtarët si dhe do të lumturonte tifozët.
Ndërkaq në ndeshjen e radhës me Danimarkën, Kuze ka menduar të bëjë disa ndryshime, duke vendosur Agollin në vijën e mbrojtjes dhe duke e nisur ndeshjen me dy sulmues.
“Natyrisht, pas miqësores së zhvilluar me U-19, kam krijuar një ide për fizionominë që do të ketë ekipi në këtë ndeshje, bazuar kjo edhe në formën sportive të lojtarëve. Në miqësoren kundër Qipros kemi luajtur mjaft mirë dhe kisha një ide që të hidhja në fushë të njëjtin formacion që kishim në ndeshjen kundër Qipros, duke menduar se do të kishim rezultat. Por, për fat të keq, Vangjeli i dëmtuar nuk ishte sinjal i mirë për ne dhe tashmë ky formacion duhet të ndryshojë, pasi nuk mund të jetë më ai që kishim në ndeshjen kundër Qipros”, theksoi ai.
Kuze ka thënë se në ditët në vazhdim do të shohë për skemën se si do të luajë kundër ekipit të Marten Olsenit. Mirëpo, ai është i bindur se ndeshjen do ta nisë me dy sulmues.
“Shpresoj të jetë varianti më i mirë në një ndeshje shumë të vështirë, ku njëkohësisht duhet të jemi mjaft të kujdesshëm, pasi dihen vlerat e kundërshtarit, por edhe motivimi që ata kanë në këtë ndeshje”, ka thënë ish trajneri i Dinamos së Zagrebit.
Ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Danimarkës do të zhvillohet në stadiumin kombëtar ‘Qemal Stafa’ në Tiranë dhe do të nisë në orën 20:30. Shqipëria bënë pjesë në Grupin 1 të eliminatoreve për botërorin Afrika e Jugut 2010.
Kryesuesi i grupit është Danimarka me 16-të pikë të tubuara, derisa kuqezinjtë, që tashmë iu janë shuar gjasat për një kualifikim të mundshëm, gjenden në vendin e pestë me vetëm 6-të pikë të tubuara.