Alberto Aquilani shkoi në Angli, Giuseppe Rossi në Itali vjen vetëm kur është i angazhuar me Kombëtaren, ndërsa Federico Macheda është idhull i ri i tifozëve të Manchester United.Italia është vend për futbollistë të vjetër. Kjo është bërë e ditur nga një studim i FIFA-s. Klubet italiane në sezonin e fundit kanë qenë të fundit në Evropë për numrin e futbollistëve të rinj të zhvilluar dhe aktivizuar në ekipet e para.
Raporti i katërt vjetor për mbikëqyrjen e futbollistëve profesionistë, i udhëhequr nga FIFA, ka njoftuar se në sezonin e fundit futbollistë të rinj, të cilët janë aktivizuar në Serie A, kanë qenë 12.8 për qind nga totali i futbollistëve të përgjithshëm.
Një shifër brengosëse për futbollin italian në krahasim me shtetet tjera evropiane me futbollin më të fuqishëm. Raporti ka analizuar pesë kampionatet më të mëdha evropiane: Premierliga, La Liga, Bundesliga, Serie A, Ligue 1, dhe është bërë e ditur se Italia është larg nga Franca, ku përqindja e futbollistëve të rinj të aktivizuar është 30.3 përqind, por po ashtu është në disavantazh edhe me ligën spanjolle, angleze dhe gjermane.
Në përgjithësi në Evropë përqindja e futbollistëve të rinj të aktivizuar ka pësuar rënie të lehtë nga 22 në 21 për qind – viti i katërt i njëpasnjëshëm që ka shënuar rënie. Atletico Bilbao, Nancy, Barcelona, Toulouse dhe Espanyol përfaqësojnë shembuj për zhvillimin e futbollistëve të rinj.
Në këto klube përqindja e futbollistëve të aktivizuar nga sektori i të rinjve kalon shifrën prej 40 për qind. Shifra të tilla të larta kanë edhe Arsenal (39,6%), Real Madrid (37.3%), Manchester United (37.3%) dhe Bayern Munich (28.9%).
E Italia ? Klubi që sezonin e kaluar ka zhvilluar më së tepërmi futbollistë nga Serie A ishte Reggina (e cila ka rënë në Serie B), me përqindje prej 19.2 përqind. Më pas vjen Juventus (18.7%), Atalanta (18.4%), Roma (16,1%) dhe Milan (14%).
Detyra kryesore është puna me sektorët e të rinjve. Njëri prej sukseseve të fundit nga të rinjtë italianë vjen më 2003 kur ekipi U-19 i udhëhequr nga Paolo Berretini fitoi Kampionatin evropian.
“Rezultatet e studimit të FIFA-s nuk më befasojnë. Kur kam qenë selektor për ndërtimin e kombëtareve të reja deri në U-20, është dashur të përcjell futbollistë nga Primavera, sepse në ekipet e para nuk luanin futbollistë të rinj”, tha Berrettini.
Raporti i FIFA-s ka theksuar edhe praninë e madhe të futbollistëve të huaj në 5 ligat më të forta evropiane. Edhe pse për pak, numri i tyre është rritur nga 45 në 45,2 për qind. Në Angli (65.2%), Bundesliga (53,1%) për herë të parë kur të huajt i kanë kaluar gjermanët, Serie A (39.4%) dhe në fund La Liga (35.9^) dhe Ligue 1 (33.8%). Futbollistët e huaj vijnë kryesisht nga Brazili (163 futbollistë), Argjentina (103) e Franca (100).