01 shtator 2009

Shnejder, i lumtur me Mourinjon dhe Etonë

Holandezi ka mbetur i befasuar nga pritja e “San Siro”-s dhe debutimi me fanellën zikaltër
Të dielën në mëngjes Uesli Shnejder ka fluturuar drejt Amsterdamit, por imazhet e derbit do t’i mbesin në mendje për një farë kohe. Gjëja e parë që ka prekur mesfushorin 25-vjeçar nga Utrehti, është mjedisi. “Ai kundër Milanit ishte debutimi më i mirë që mund të prisja, - tregon Shnejderi. - Atmosfera e “San Siro”-s është e pabesueshme dhe mezi po pres orën të shijoj të gjithë stadiumin me ngjyrat zikaltër, duke parë që këtë herë luanim jashtë fushe”.
Është e pashmangshme pyetja për atë që e mbuloi me sms në celular për ta sjellë te Interi. “Jam vërtet i lumtur dhe shumë krenar për besimin që Mourinjo më ka dhënë. Në fillim këmbënguli për të më pasur në Milano, pastaj më bëri të debutoj në një ndeshje kaq delikate”. Shnejderi që erdhi të enjten e shkuar në Milano dhe që nuk u stërvit asnjëherë me shokët e tij të rinj, mbeti i befasuar nga të gjithë, por thotë fjalë të veçanta për Etonë, i cili pak ditë më parë e kishte mbuluar me lavde pak para ardhjes te kampionët e Italisë: “Jam i lumtur për mënyrën sesi luajta, -vazhdoi holandezi, - dhe për përshtatjen që gjeta më në fund në fushë me Etonë.
E dija që Samueli është një futbollist i madh, por nuk mund të imagjinoja, që duke luajtur në krah të tij, të ishte kaq e lehtë”. Duke qëndruar te kamerunasi, sprinti i tij i madh e lejoi Interin të fitojë një 11-metërsh në derbi, që solli dhe golin e dytë. Duket që Eto është një sulmues i pakontrollueshëm, që shënon dhe të lejon të shënosh, duke çarë mbrojtjet kundërshtare. Por Samueli nuk është plotësisht i kënaqur nga paraqitja e tij, pavarësisht nga triumfi i zikaltërve ndaj Milanit. Ai shpjegon: “Nuk shënova, pra do të thotë që mund të luaja më mirë”.