Trajneri i Arsenalit i ka cilësuar stilin e lojës së Mançester Junajtid dhe ndërhyrjet e tyre të ashpra
Trajneri i Arsenalit ka kritikuar “Djajtë e Kuq” për taktikën e ndjekur prej tyre në ndeshjen e së shtunës në “Old Trafford”. Junajtid u gjend në disavantazh 0-1 për të fituar në fund 2-1 kundër Arsenalit në përplasjen e parë të madhe mes katër skuadrave kryesore të Anglisë këtë sezon. Andrei Arshavin e kishte kaluar Arsenalin në epërsi në pjesën e parë, por një gol i shënuar me penallti nga Uejn Runi dhe autogoli i Abu Diabit bënë që djemtë e Sër Aleks Fergusonit të fitonin tri pikët e vlefshme. Gjërat u keqësuan për Arsenalin në momentet e fundit të ndeshjes kur trjaneri Venger u ndëshkua, sepse kishte goditur në zemërim e sipër një shishe uji, e cila ndodhej në vijën e zonës së lejueshme për qëndrimin e trajnerit.
Ai u çua në tribunë nga arbitri kryesor, pas sinjalizmit nga gjyqtari i katërt, sepse e shqelmoi shishen e ujit pasi Robin van Persi u gjykua si jashtë loje në një aksion ku u anullua edhe goli i barazimit për Arsenalin. Kjo humbje ishte finalja e një jave të pakëndshme për Arsenalin, gjatë së cilës u përfol shumë për simulimin e Eduardos kundër Sëlltikut, madje Eduardo tani rrezikon të ndëshkohet nga UEFA për simulimin e tij në ndeshjen e plejofit të Ligës së Kampionëve, javën e shkuar.
Me qëllim - Venger është i mendimit se skuadra e tij ishte trajtuar padrejtësisht në prag të një ndëshkimi të pritur nga UEFA për Eduardon dhe ka këmbëngulur se qëndrimi i Junajtid në ndeshjen e së shtunës ishte shumë më i keq se simulimi i sulmuesit të tij të mërkurën në ndeshjen e Ligës së Kampionëve. “Unë kam parë një lojtar që luan në fushë vetëm për të bërë faulla”, ka thënë Venger i zemëruar. “Për mua, kjo është një gjë shumë më e rëndë dhe urgjente për t’u trajtuar sesa simulimi. Ka lojtarë që nuk ndëshkohen kurrë, ka që nuk marrin as një karton të verdhë të paktën. Mendoj se kjo është më shumë kundër futbollit sesa po të bënte një lojtar atë që bëri Eduardo.
Shikoni se sa faulla të qëllimshëm bëjnë lojtarët dhe nuk ndëshkohen. Ky është një problem edhe më i madh, sepse ndal rrjedhën e lojës. Njerëzit paguajnë për të parë futboll dhe jo goditje të lira”, ka shtuar Venger. Për trajnerin francez futbolli i Junajtid në ndeshjen e së shtunës ishte antifutboll pasi ata ishine të ashpër në ndërhyrje. Junajtid i shkaktoi skuadrës së Arsenalit humbjen e parë këtë sezon. Ndeshja e së shtunës në realitet ishte shumë e fortë dhe në të u dhanë gjashtë kartonë të verdhë për lojtarët e Arsenalit dhe tre për ata të Junajtid. Në lidhje me ndëshkimin e Vengerit, i cili u detyrua të shkonte në tribunë, bordi i gjyqtarëve të Premier Ligës e ka cilësuar të gabuar dhe do t’i kërkojë falje Vengerit.