Kapiteni kuqezi nuk akuzon askënd për vonesën e zëvendësimit, por thekson: Sedorfi po lidhte këpucët…
Protagonisti i derbit të Milanos, ndoshta jo për golat dhe lojën, por për çoroditjen e skuadrës së tij dhe “ndihmën” ndaj zikaltërve, ka qenë ndoshta Xhenaro Gatuzo. Kapiteni i Milanit përjetoi një mbrëmje të keqe në derbi, ai dëmtohet që në fillim, kërkon zëvendësimin, shkakton një faull për 11-metërsh dhe më pas një dytë ndaj Shnejderit, duke e lënë skuadrën me dhjetë lojtarë. Është faji i tij që ndërhyri rëndë, apo i Sedorfit e Leonardos që vonuan për ta zëvendësuar?
- Gatuzo, si ndiheni?
- U detyrova të mos thirrem në kombëtare dhe duhet të qëndroj jashtë 15-20 ditë. Shpresoj të kthehem në Marsejë për Championsin. Isha në spital dhe më thanë që kam pësuar një këputje të ligamenteve të kaviljes së majtë. Ja si ndihem.
- Pse luajtët 2- minuta para se të vendosnit të kërkonit zëvendësimin?
- Gabova, tani mund ta them, jam kokëfortë, duhej të dilja më parë. Para se t’i dorëzohesha dhembjes e dëmtimit, përpiqem të qëndroj në fushë, të rezistoj. Më duket një sjellje prej burri, nuk është se dua të bëj heroin. Ka ndodhur edhe më parë.
- Nga minuta e 17-të e dëmtimit, në momentin që ju ngritët dorën dhe provuat të dilnit, nuk i thatë gjë stolit?
- Paralajmërova Ambrozinin, me një sinjal me kod të nxitonte për nxemjen, sepse po dilja, nuk po qëndroja dot më. Te dëmtimi im ndikoi edhe ai vrap në ndjekje të Etosë, ku lindi dhe 11-metërshi.
- A e dini Rino se rrezikuat kartonin e kuq që aty?
- E lexova dhe e dëgjova. Duhej të dilja para faullit ndaj Shnejderit dhe ky është ngushëllimi i vetëm, nëse mund të flitet për ngushëllim pas katër “shuplakave” të Interit.
- Kthehemi te 11-metërshi. A duhej të ishit ju që të ndalonit Etonë në kundërsulm?
- Isha unë në atë kënd të fushës dhe vrapova pa menduar asgjë vetëm për ta kapur. Siç duket mirë edhe nga televizori, e arrita, i kalova edhe përpara, por krahu im e pengoi dhe ai mori 11-metërsh. Megjithatë në fund të atij vrapimi ndjeva një dhembje shumë të fortë…
- Pse nuk kërkuat ndihmë mjekësore në ato rrethana, ndoshta duke e ndaluar lojën për herë të dytë. Ishte 11-metërshi për t’u goditur, ndoshta ishte e gjithë koha e mjaftueshme për të nxjerrë në nxemje Ambrozinin e Sedorfin.
- Sepse më vinte turp të dilja nga fusha dhe të dorëzohesha, të shtrihesha në fushë edhe një herë tjetër. Këtë gjë e mendoj si shumë injoruese për një burrë.
- Atëherë, duke e ditur që kishit një karton të verdhë, pse e bëtë atë faull të dytë të kotë në mesfushë ndaj Shnejderit, duke e kërkuar vetë një ndëshkim të tillë?
- Kjo është një pyetje që mund t’i drejtohet dikujt që qëndron në tribunë, me shishen e ujit mineral në dorë dhe ka kohë të mendohet e të vendosë se çfarë është më e vlefshme. Unë jo. Unë gjëndesha në një situatë shumë ndryshe. Sapo kisha dalë nga fusha, hoqa shiritin e kapitenit dhe e mbaja në dorë, sepse zëvendësimi nuk u krye, Sedorfi ishte duke lidhur këpucët. Madje televizionet kronometruan edhe kohën, ku qëndrova në fushë me shiritin në dorë në pritje të zëvendësimit: 2 minuta e gjysmë. Në atë gjendje, i rikthyer me vrap të madh, është e vështirë të vlerësosh ndërhyrjen më racionale: është instikti që të udhëheq. Dhe më drejtoi drejt zgjidhjes së gabuar.