24 shtator 2009

Shefki Kuqi- Pritni fluturime

Skuadra e Koblenzit nuk e ka filluar mirë sezonin e ri në Bundesliga 2. Kapiteni i skuadrës gjermane, Shefki Kuqi startin e dobët e arsyeton me lëndimin e disa futbollistëve.

Mirëpo, 32 vjeçari tregon se as vetë nuk është në formën më të mirë. Sipas tij, tifozët e Koblenzit ende nuk e kanë parë Shefkiun e vërtetë.

Kuqi në një intervistë dhënë ueb faqes zyrtare të klubit (www.tuskoblenz.de), ka thënë se ka raporte të shkëlqyeshme me trajnerin Uwe Rapolder, pa të cilin nuk do të rrinte asnjë minutë në klubin nga Bundesliga 2.

Sulmuesi vushtrrias është i zhgënjyer që përfaqësuesja e Finlandës nuk ka arritur të kualifikohet për në kampionatin botëror – Afrika e Jugut 2010.

Keni arritur në Koblenz para 3 muajsh. Fillimi i sezonit nuk ishte i mire për ju. Si do ta përshkruaje këtë ?
Kuqi: Ne kemi një ekip të fortë dhe kuptohemi mirë me njëri-tjetrin. Tash na nevojitet ta shfaqim këtë edhe në fushë. Natyrisht ne të gjithë preferojmë më shumë, por deri tash shkoi si shkoi. Ne kemi shumë futbollistë të lënduar, e cila gjë na kushton. Mirëpo, sezoni është i gjatë.

A po të mungon Njaziu ?
Kuqi: Natyrisht. Jam i kënaqur që ai është kthyer në stërvitje pas lëndimit. Pas dy javësh mund të na bashkohet.

Si mund t’i përshkruani paraqitjet e tua këtë sezon. 4 gola në ligë, 2 në kupë. Kjo nuk është keq, apo jo ?
Kuqi: Golat janë detyra ime. Unë lëviza te Koblenz për ta bërë punën time. Erdha këtu që ta ndihmoj klubin. Fansat e Koblenzit ende nuk e kanë parë më të mirën nga unë. Ende nuk jam në 100 për qind.

Me përfaqësuesen e Finlandës keni dështuar të kualifikoheni në Botëror. Pas barazimit 1:1 kundër Lihtenshtajnit, për fat të keq treni për Afrikën e Jugut ju ka ikur. A jeni i zhgënjyer ?
Kuqi: Zhgënjimi në mes nesh është mjaftë i madh. Ne bëmë ndeshje të mira kualifikuese, megjithatë kishim punë me ekipe të forta si Gjermania e Rusia, një grup i fortë. Me rezultatet tona do të ishim më mirë në ndonjë grup tjetër. Portugalia dhe Danimarka, për shembull, nuk kanë më shumë pikë sesa që mund t’i grumbullojmë ne për ta realizuar ëndrrën. Ne ishim të pafat dhe është e dhimbshme për të gjithë vendin.

A do ta vazhdosh karrierën në Angli ?
Kuqi: Është mirë të besohet një gjë e tillë. Ndeshjet kundër yjeve të futbollit botëror të dhurojnë mjaftë kënaqësi. Megjithatë, nuk është lehtë për një lojtar të përfaqësueses, pasi ka angazhime të mëdha. Unë kam arritur në 58 ndeshje ndërkombëtare, kjo sigurisht të bën të lumtur.

Çfarë marrëdhëniesh keni me trajneri Uwe Rapolder ?
Kuqi: Ne kemi marrëdhënie mjaft të mira. Pa të unë nuk do të luaja në Koblenz, kjo është e qartë. Para se të vija në Koblenz, unë kisha oferta të mëdha nga klube të rëndësishme europiane. Është kënaqësi të punosh me të, këtë nuk e them vetëm për vete.