24 shtator 2009

Dënohen Kosova e Trepça

Pas Komisionit të Garave, i cili ditë më parë ndeshjen e ndërprerë mes Kosovës (V) e Trepçës e regjistroi me rezultat zyrtar 0:3 për mitrovicasit, edhe Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në mbledhjen e vet të mbajtur të martën, i ka shqiptuar dënimet ndaj dy klubeve për ekseset e ndodhura në atë takim .
Kështu, nikoqiri i asaj ndeshjeje, Kosova (V) është dënuar me një ndeshje pa praninë e shikuesve, kurse Trepça është gjobitur me 1 mijë euro. Portieri i mitrovicasve, Pertinac është liruar në mungesë të argumenteve.
“Për ndeshjen e ndërprerë mes Kosovës (V) dhe Trepçës, Komisioni Disiplinor nikoqirin e atij takimi, Kosova (V) e ka dënuar me një ndeshje pa praninë e publikut. Këtë dënim Kosovës ia kemi shqiptuar pasi tifozët e saj kanë hyrë në fushë dhe kanë hedhur gjësende në fushë. Për hedhje të gjësendeve në fushë nga tifozët e saj është dënuar edhe Trepça me 1 mijë euro. Kurse portieri i Trepçës është liruar në mungesë të argumenteve”, deklaroi për Express kryetari i këtij komisioni, Osman Dragusha.
Ai tha se këto dënime janë shqiptuar duke u bazuar në rregulloret përkatëse, deklaratat e mbledhura, xhirime dhe argumente.
Drejtuesit e klubit bardhekaltër e kanë pritur një dënim të tillë. “E kemi pritur këtë dënim dhe pajtohemi me të, sepse publiku ka hyrë në fushë. Por, nuk pajtohemi në asnjë mënyrë me tri pikët që Komisioni i Garave na i mori padrejtësisht”, tha drejtori i Kosovës (V), Besim Halili.
Por, dënimi prej 1 mijë eurosh për zyrtarët e Trepçës është i papranueshëm. “Është vendim katastrofal. U dënuam me këtë shumë për arsyeje që tifozët tonë u mbrojtën nga sulmet e tifozëve vushtrrias. Ne do të ankohemi për këtë dënim”, ka thënë drejtori i Trepçës, Eroll Vitaku.