24 shtator 2009

Sejdiu e lë Trepçën

Trajneri i Trepçës, Gani Sejdiu, të hënën pasdite ka dhënë dorëheqje nga ky post, ndonëse klubi mitrovicas e ka filluare shumë mirë këtë kampionat.
Në fakt, dorëheqja e Sejdiut ka ardhur pasi trajneri mitrovicas nuk kishte rënë dakord me disa vendime të kryesisë së klubit. Lajmin e ka konfirmuar për Express kryetari i klubit, Nexhmedin Haxhiu.
“Zyrtarët e klubit nuk kanë qenë të kënaqur me lojën të cilën e ka aplikuar Trepça. Publiku mitrovicas kërkon lojë të mirë dhe suksese. Prandaj zyrtarët e klubit vendosën që në një farë mënyre t’i dënojnë lojtarët nëse nuk aplikojnë lojë të mirë. Ky vendim ishte i papranueshëm për Sejdiun, me ç’rast ai dha dorëheqje”, shpjegoi Haxhiu për Express.
Gazeta Express ka provuar të kontaktojë edhe me Sejdiun gjatë gjithë ditës së martë, por kjo ka qenë e pamundur.
Ndërsa kandidati potencial për ta zëvendësuar Sejdiun në këtë post është ish trajneri i Hysit, Hysni Maxhuni, i cili aktualisht është i papunë. Madje vetë Maxhuni ka treguar se ka biseduar me zyrtarët e këtij klubi kohë më parë rreth kësaj çështjeje.
“Unë kam biseduar me Eroll Vitakun dhe me disa anëtarë të kryesisë më moti. Unë u pata propozuar të mos nguten, sepse ishte Sejdiu trajner dhe ky njeri pati sukses me ekipin mitrovicas. Por, pas shkarkimit të tij nuk e përjashtoj mundësinë ta marrë postin e trajnerit nëse kryesia vendos për mua”, tha Maxhuni për Express.
“Skuadra është e organizuar mirë. Trepça synon titullin e kampionit dhe ka ekip cilësor. Po ashtu, e kaluara ime lidhet me Trepçën dhe këto janë disa nga arsyet që do ta pranoja ofertën”, shtoi Maxhuni.
Ndërsa zyrtarët e klubit mitrovicas kanë treguar se përveç Maxhunit, kandidatë tjerë për këtë post janë edhe Bylbyl Sokoli, Genc Hoxha dhe Muharrem Sahiti.
Pas shtatë xhirove, nën udhëheqjen e Gani Sejdiut, Trepça zë vendin e dytë në tabelën e klasifikimit të Raiffeisen Superligës me pesëmbëdhjetë pikë të tubuara, një më pak se kryesuesi Flamurtari.