22 shtator 2009

Protestuesit “Forca”: N’ UEFA kështu nuk shkohet!


Në pankarta e protestuesve ndër të tjerat ishte shkruar: FFK=Federata e Futbollit e Kamishit! Dy policë kishin zë derën e shtëpisë së sportit në Prishtinë dhe në pritje të protestës së paralajmëruar nga ana e adhuruesve të futbollit “Forca” nga Vushtrria. Pas pak minutave, me autobusë mbërritën adhuruesit “Forca” në krye me kryetarin e tyre, Shkëlzen Kajtazi. Ata u ndalën para shtëpisë së sportit, duke protestuar në mënyrë të qetë ashtu siç e kishin paralajmëruar protestën javën e kaluar në Shërbimin Policorë. Qëllimi i kësaj proteste, sipas Kajtazit kishte të bënte me vendimin e njëanshëm që ka marrë Komisioni i Garave i FFK-së në lidhje me ndeshjen e ndërprerë në përfundim të pjesës së parë në mes Kosovës dhe Trepçës, kur rezultati ishte 1:0 për mikpritësit në kuadër të javës së gjashtë të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Protestuesit nga Vushtrria me vete kishin pankarta në të cilën ishin paraqitur në formë karikature kryetari i Komisionit të Garave të FFK-së, Azem Brovina dhe nënkryetari i FFK-së, Bekim Haxhiu. Në pankartat e protestuesve kështu shkruante: “N’ UEFA kështu në shkohet! Pastaj FFK=Federata e Futbollit e Kamishit! Në pankartë ishte adresuar edhe akuza drejtuar Bekim Haxhiut: Meno mirë 3 pikëshin! Kjo protestë kalojë e qetë, pa asnjë incident dhe kryetari i kësaj shoqate të adhuruesve u takua edhe me zyrtarët e FFK-së. “Natyrisht se protestojmë. Kemi të drejtë sepse klubit tonë iu është bërë padrejtësi e madhe. Ashtu si ka kërkuar kryesia e KF Kosova po ashtu edhe ne si adhurues të kësaj skuadre kërkojmë që vendimi të shfuqizohet dhe të vendoset rezultati zyrtar 3:0 në favor të skuadrës së Kosovës. Në rast se kjo kërkesë e jona nuk përfillet, iu bëjmë me dije se do t’i radikalizojmë protestat. Të ardhmen çdo ndeshje që do të zhvillojë përfaqësuesja e Kosovës në futboll me karakter miqësorë ndërkombëtar apo zyrtarë do të hyjmë dhe do ta ndërpremë ndeshjen. Do të bëjmë probleme në stadiume kur luan përfaqësuesja e Kosovës sepse FFK-ja për dikë është bërë nënë dhe për dikë njerkë, është e padurueshme”, tha Kajtazi në emër të adhuruesve “Forca”.